16 tetori është një ditë e rëndësishme për Shqipërinë pasi në kryeqytet do të mbahet për herë të parë Samiti i Procesit të Berlinit. Në orën 11:00, i zoti i shtëpisë, kryeministri Edi Rama priti në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” liderët e rajonit dhe udhëheqësit e BE-së.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen mbërriti dje në Tiranë, ndërsa mbërriti edhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis. I pranishëm do të jetë edhe Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel. Nuk mund të mungonte kancelari gjerman, Olaf Scholz, vendi i të cilit inicioi Procesin e Berlinit. Në punimet e samtit pritet të marrë pjesë edhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron anuloi pjesëmarrjen, mirëpo pasdite do të jetë në Tiranë vizitën e parë zyrtare. Gjithashtu do të mungojë edhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, e cila do të përfaqësohet nga zëvendëskryeministri Antonio Tajani.
Ndërkohë, të pranishëm do të jenë edhe 6 përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Për herë të parë, që pas përplasjeve me Ramën, mbërrin në Tiranë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Nga radhët e Serbisë pritet që të marrë pjesë kryeministrja Ana Brnabic dhe jo presidenti Aleksandër Vuçiç, i cili është nisur drejt Kinës ditën e sotme. Ky është Samiti i Parë që zhvillohet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian.
11:40- Britania e Madhe rriti prezencën në Ballkan, shefi i diplomacisë në Tiranë për Samitin, paqen në rajon dhe promovimin e Dhomës Britanike të Tregtisë
Ministri i Jashtëm britanik, James Cleverly do të marrë pjesë, sot (16 Tetor), në Samitin udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor, për t’i nxitur ata të ruajnë paqen dhe stabilitetin mes tensionesh në rritje, në të gjithë rajonin.
Cleverly synon të mbështetet mbi suksesin e partneritetit me Shqipërinë dhe të kërkojë një bashkëpunim të shtuar në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, për të luftuar emigracionin e paligjshëm.
Bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve ka sjellë si rezultat prej nënshkrimit të Komunikatës së Përbashkët, uljen e kalimeve me gomone të shtetasve shqiptarë në Kanal me 90% dhe një rritje domethënese të emigrantëve të paligjshëm, të kthyer në Shqipëri.
Pjesëmarrja e tij në samitin vjetor të Procesit të Berlinit në Tiranë vjen pas zhvendosjes së 600 trupave britanike në Kosovë për të forcuar misionin paqeruajtës të NATO-s, si kundërpërgjigje ndaj shtimit të ushtrisë, përgjatë kufirit Serbi-Kosovë dhe sulmeve të dhunshme kundër policisë kosovare.
Përpara vizitës së tij, Ministri i Jashtëm James Cleverly deklaroi:
“Mbretëria e Bashkuar është e angazhuar të punojë me Ballkanin Perëndimor për të luftuar bandat që shfrytëzojnë jetë njerëzore për qëllime përfitimi, si dhë të adresojë sfidat e tjera të sigurisë në të gjithë rajonin.
Partneriteti ynë me Shqipërinë po bën pikërisht këtë. Përmes bashkëpunimit të agjencive ligjzbatuese, ne kemi ulur numrin e shqiptarëve që vijnë me gomone, me 90%, gjatë vitit të fundit dhe po kthejmë ata që nuk kanë të drejtë ligjore për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar.
“Mbretëria e Bashkuar do të jetë gjithmonë një partnere e besueshme, e cila qëndron krah më krah me rajonin, për të promovuar një të ardhme të begatë dhe të qëndrueshme”.
Ministri i Jashtëm do të theksojë edhe rolin unik të Mbretërisë së Bashkuar duke mbështetur begatinë dhe sigurinë e rajonit- nga forcimi i qendresës kundër veprimtarive keqbërëse, ndërhyrjeve dhe sulmeve kibernetike tek zhvillimi ekonomik si dhe duke punuar krah partnerëve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Ministri i Jashtëm britanik do të shfrytëzojë rastin në këtë Samit- ku marrin pjesë përfaqësues të lartë të qeverive nga i gjithë Ballkani Perëndimor dhe nga Europa- për të nxitur partnerët ndërkombëtarë të jenë të palëkundur në solidaritetin e tyre ndaj Izraelit dhe të drejtës së tij themelore për t’u mbrojtur kundër HAMAS-it.
Gjatë kohës së qëndrimit në Tiranë, James Cleverly do të nxisë marrëdhëniet mes Mbrëtërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë. Ai do të mbështetet mbi Komunikatën e Përbashkët të dakordësuar mes kryeministrave Rishi Sunak dhe Edi Rama në dhjetor 2022. Komunikata përcakton fushat e reja të bashkëpunimit në zbatimin e ligjit dhe kthimin e atyre që kanë arritur në mënyrë të paligjshme në Mbretërinë e Bashkuar, si dhe forcimin e zhvillimit ekonomik.
Në aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, Ministri i Jashtëm, krah Ministrit të Brendshëm shqiptar do të çelë zyrtarisht Komisariatin e Policisë, Rinas, ku ndodhet edhe Task Forca e Përbashkët e Emigracionit, përgjegjëse për koordinimin e masave dhe veprimeve operacionale, për të luftuar kontrabandistët dhe trafikantët e qenieve njerëzorë, të cilët bëjnë kalimin e emigrantëve të paligjshëm nga Shqipëria në Mbretërinë e Bashkuar.
Për të shtuar marrëdhëniet tregtare mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, Ministri i Jashtëm do të promovojë Dhomën Britanike të Tregtisë në vend.
Dhoma do të ndihmojë në rritjen e ekonomive të të dy vendeve, do të lançohet në një event në Western Balkans University, një institucion i arsimit të lartë, i cili po zhvillon partneritete me universitetet britanike dhe po u jep bursa të gjithë atyre që ndjehen nën presion për t’u larguar nga Veriu i Shqipërisë.
11:30- FOTOLAJM/ Ndryshe nga të tjerët, Mitsotakis “thyen rregullin” pasi u prit nga Rama
Ndryshe nga liderët e tjerë që kanë ardhur në Tiranë dhe po priten nga Rama, kryeministri grek Mitsotakis është ndalur përballë gazetarëve duke iu përgjigjur pyetjeve nga televizioni grek ERT.
Mitsotakis është parë të ndalet te mikrofoni i ERT dhe duket se do të japë një mesazh parta nisjes së punimeve të Samitit të Procesit të Berlinit. Partia e Mitsotakis humbi dy qytetet kryesore greke një ditë më parë, ndërsa tashmë duket se do të arrijë “një fitore” jashtë duke bërë presion për Fredi Belerin, e arrestua për vjedhje votash.
11:27-Rama dhe Kurti shtrëngojnë duart në tapetin e kuq, kryeministri i Kosovës i dhuron një buzëqeshje
Kryeministri i Kosvës, Albin Kurti, ka mbërritur në Tiranë, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit.
Ai është pritur në tapetin e kuq nga kryeministri Edi Rama, me të cilin ka shtrënguar duart dhe madje i kanë dhuruar një buzëqeshje njëri-tjetrit.
Ndryshe nga kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, e cila dukej e ngrysur dhe aspak entuziaste nga takimi me Ramën.
Kujtojmë se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç mungoi në Samit pasi ka udhëtuar drejt Kinës, ku do të marrë pjesë në Forumin e tretë “Belt and Road”, i cili fillon nesër në Pekin.
11:18- VIDEO/ E ngrysur, sikur e kanë sjellë me zor: Çfarë nuk u pa nga takimi i Ramës me Kryeministren e Serbisë
Ndërkohë që liderët e tjerë janë takuar përzemërsisht me Ramën, kryeministrja serbe Ana Brnabiç duket se ka ardhur me zor në Tiranë. Ajo ishte mjaft e ngrysur dhe e ngurtë në takimin me Ramën si edhe në parakalimin në tapetin e kuq, gjë që është pasqyruar edhe te kryeministri shqiptar.
Rama nuk është se “ia vari” shumë Brnabiçit, ndryshe nga liderët e tjerë.
11:11- VIDEO/ Rama pret liderët e BE-së dhe rajonit, i zoti i shtëpisë i uron mirëseardhjen
Kryeministri i vendit, Edi Rama ka pritur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” liderët e rajonit dhe udhëheqësit e BE-së, në nisje të Samitit historik të Procesit të Berlinit.
“I zoti i shtëpisë” i uroi mirëseardhjen të gjithë liderëve, të cilët mbërrin një nga një jashtë ambienteve të kryeministrisë.
10:44- Meloni do të mungojë në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë
Tirana pret sot, më 16 tetor, liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit.
Por jo të gjithë liderët do të marrin pjesë.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni nuk do të jetë e pranishme në Samit.
Ajo do të përfaqësohet nga zëvendëskryeministri, Antonia Tajani.
Nuk dihet arsyeja e anulimit të vizitës, por sipas medieve italiane, kryeministrja do të presë në një takim mbretin e Jordanisë, Abdullah II Ibn Al Husein.
Sakaq, as Presidenti i Francës, Emmanuel Macron nuk do të jetë i pranishëm gjatë orëve të paradite. Ai mësohet se do të mbërrijë në Tiranë pasdite.
Shkak i shtyrjes së mbërritjes së tij është bërë një sulm me thikë në një shkollë ku një mësues mbeti i vdekur dhe dy të tjerë u plagosën.
10:19- “Një fitore jashtë pas katastrofës brenda!” Mitsotakis do të kërkojë betimin e Belerit
Mediat greke shprehen se Mitsotakis do të kërkojë të arrijë një “fitore jashtë” pas humbjes së dy qyteteve kryesore greke, Athinën dhe Selanikun në zgjedhjet e fundit.
Dhe kjo fitore e Mitsotakis sipas tyre do të arrihet në Shqipëri, ku gjatë mbledhjes në Samitin e Berlinit do të bëjë presion që Fredi Beleri të bëjë betimin dhe të vijojë si kryebashkiak i Himarës.
Greqia më herët është shprehur se qeveria e Athinës mbështet perspektiven europiane të Ballkanit Perëndimor, por vendet kandidate duhet të respektojnë parimet dhe vlerat bazë europiane duke bërë një presion të hapur ndaj vendit tonë.
“Kryeministri e kishte bere te qarte se rasti i Fredi Belerit do të ketë pasoja në marrëdhëniet greko-shqiptare dhe do të ndikojë në vendimet e Greqisë për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë”, shkruan Protothema.
Fredi Beleri është arrestuar për blerje votash në Himarës, por duket se në Greqi po e përdorin për çështje të brendshme pas problemeve që pati partia e Mitsotakis në zgjedhje.
08:54- Samiti në Tiranë, Presidenti Begaj: Ngjarje e madhe historike për rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe rajonit
Presidenti Bajram Begaj ka përshëndetuar mbajtjen e Samitit të Procesit të Berlinit që zhvillohet sot në Tiranë. Presidenti Begaj shprehet se kjo është një ngjarje e madhe historike për rrugëtimin europian të Shqipërisë dhe rajonit.
“Mbajtja ne Tiranë sot e Samitit të Procesit të Berlinit është një ngjarje e madhe historike për rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe rajonit. I uroj mirëseardhjen dhe punime të mbara delegacioneve pjesëmarrëse”, shkruan Begaj në reagimin e tij.
08:06- Sulmi terrorist në Francë, presidenti Macron shtyn ardhjen në Tiranë për Samitin e Procesit të Berlinit
Presidenti i Francës Emmanuel Macron ka shtyrë për disa orë vizitën e tij në Tiranë.
Macron pritej të mbërrinte në vendin tonë mëngjesin e së hënës, por ai do të jetë i pranishëm në takimin e Procesit të Berlinit vetëm gjatë pasdites së këtij samiti.
Mediat franceze bëjnë me dije se shkak i shtyrjes disa orëshe të pjesëmarrjes së Macronit në Procesin e Berlinit ka të bëjë me sulmin e ndodhur në një nga shkollat franceze ditën e premte ku një mësues francez u vra me thikë nga një ish-nxënës i radikalizuar në Arras.
Ndërkaq, në samitin e Procesit të Berlinit, Macron do të përfaqësohet nga Sekretarja e Shtetit për Evropën, Laurence Boone.
07:41- Mbahet sot në Tiranë samiti i Procesit të Berlinit! Të gjitha rrugët që do të bllokohen
Liderët e BE dhe ata të Ballkanit Perëndimor do të mblidhen ditën e sotme në Tiranë, për të marrë pjesë në samitin e Procesit të Berlinit, i cili zhvillohet për herë të parë në një vend jo anëtar.
Edhe këtë herë, në fokus do të jetë integrimi i Ballkanit Perëndimor dhe bashkëpunimin rajonal.
Kryeministri Edi Rama, si mikpritës, ka zgjedhur ambientet e reja të Piramidës për të mbajtur këtë takim në kryeqytetin shqiptar.
Në orën 11:00 do të nisë mbërritja e liderëve ndërsa punimet e këtij samiti do të hapen 30 minuta më vonë nga fjala e kryeministri Rama, Kancelarit Scholz, Presidentit të KE Ursula Von der Leyen dhe kreu i këshillit Europian Charles Michel. Do të ketë dy sesione të ndara, të cilat lidhet me integrimin e tregut të përbashkët rajonal drejt tregut të unik të BE-së çka sipas Brukselit do të bëjë të mundur edhe për integrimin ekonomik me faza.
Liderët e Ballkanit perëndimor do të firmosin marrëveshje për kualifikimet profesionale. Pas tryezave dhe takimeve bilaterale, në orën 17:45 është parashikuar konferenca për shtyp, ndërmjet Ramës, Scholz dhe Von der Leyen.
Sulmi i 24 shtatorit në veri të Kosovës nga kriminelë serbë të armatosur pritet të jetë temë e tryezës së procesit të Berlinit. Për këtë do të mendojë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndërsa Serbia do të përfaqësohet me Ana Brnabic dhe jo Presidentin Aleksandër Vuçiç. Ashtu si në ministerialin e shefave të diplomacisë edhe në takimin e liderëve, Prishtina do të kërkojë vendosjen e sanksioneve ndaj Beogradit, si një kusht i vendosur për rinisjen e dialogut.
Samiti i Procesit të Berlinit, që zhvillohet në Tiranë është i dhjeti në serinë e mbledhjeve të mbajtura në kuadër të tij. Për herë të parë ai do të zhvillohet në një shtet jo-anëtar të Bashkimit Europian, në Shqipëri.
Procesi i Berlinit, i nisur në vitin 2014, synon të rrisë bashkëpunimin mes shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe zhvillimin ekonomik të tyre. Kjo iniciativë e udhëhequr nga Gjermania, nëpërmjet ish-kancelares Angela Merkel dhe ish-ministrit të Jashtëm Frank-Ëalter Steinmeier, synon lehtësimin e zhvillimit në drejtim të “pajtimit, stabilizimit, sektorit energjetik, sundimit të ligjit, ekonomisë së tregut dhe të shtet-ndërtimit” mes gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëri, Serbi, Mali i Zi, Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinë).
Për garantimin e rendit dhe sigurisë së personaliteteve europiane që do të qëndrojnë në Tiranë për llogari të samitit janë angazhuar 1600 efektivë të policisë dhe 400 të tjerë të Gardës së Republikës.
Si pjesë të masave, përpos pengesave, policia e shtetit ka planifikuar rrugëkalime të shërbimeve të emergjencës.
Rrugët që do bllokohen
Për garantimin e sigurisë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, është parashikuar ky perimetër sigurie:
-Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”;
-Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;
-Rruga “Papa Gjon Pali II”, “ETC-RTSH-Stadium”;
-Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”;
-Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
-Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe në rrugën “Papa Gjon Pali II”;
-Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;
-Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;
-Rruga “Ukraina e lirë”.
Në këto akse rrugore deri në përfundim të Samitit, në orën 20:00, do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, por do të lejohet vetëm lëvizja e qytetarëve që janë rezidentë në ambiente banimi brenda perimetrit të sigurisë.
Të gjitha bizneset private që ndodhen brenda perimetrit të sigurisë do të jenë të mbyllura.
Në rrugën “Papa Gjon Pali II”, nuk do të lejohet as lëvizja me këmbë, e qytetarëve.
Ndalim të qarkullimit të automjeteve nga ora 08:00 deri në orën 12:00, dhe nga ora 15:30 deri në orën 20:00, do të ketë në akset rrugore:
•Rinas – Mbikalimi i Kasharit – autostrada “Durrës – Tiranë” – ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – rrethrrotullimi i Saukut – rrethrrotullimi pranë Akademisë së Sigurisë – Pallati i Brigadave – rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”;
•Bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”, deri te Rruga e Elbasanit (ky ndalim vlen për të gjitha llojet e mjeteve);
•Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi me bulevardin “Zhan D’Ark” deri te sheshi “Nënë Tereza”;
•E gjithë rruga “Papa Gjon Pali II”;
•Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit, deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”.
Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.
Diskutime rreth kësaj post