Parlamenti i Shqipërisë miratoi sot unanimisht një rezolutë mbi ngjarjet në Kosovë duke dënuar qasjen destruktive të Serbisë. Vota unanime erdhi pas vendimit të PS dhe partitë e tjera të mos dilnin me rezoluta të veçanta mbi Kosovën.
Gjatë fjalës së tij, deputeti i PD-së Ferdinand Xhaferaj vlerësoi unanimitetin e Parlamentit mbi Kosovën, ndërsa theksoi se në kuadër të kësaj, vetë kryeministri Rama duhet të rishikojë qasjen që ka ndaj Serbisë dhe Presidentit Vuçiç.
Xhaferaj theksoi se ndryshe nga sa është shprehur Rama disa vite më parë, Shqipëria dhe Serbia nuk mund të kenë një partneritet strategjik, për aq kohë sa Beogradi nuk njeh dhe saboton gjysmën e kombit, ndërsa shtoi se deklaratat e kryeministrit për vendosjen e KFOR-it në veri të Kosovës janë një tezë e mirëfilltë serbe.
“Serbët kanë shumë vite që thonë që shqiptarët nuk dinë të qeverisin. Vendosja e KFOR-it në veri dhe kërkesat për këtë gjë janë një tezë e mirëfilltë serbe”, tha Xhaferaj.
“Mua me vjen mirë që kryeministri ka urdhëruar deputetët e tij që të jenë unison në këtë rezolutë sot, por ai duhet të tërhiqet nga deklaratat për një bashkëpunim të ngushtë me Serbinë. Të kesh partneritet strategjik me një shtet do të thotë që ke një mori marrëveshjesh me të, ndërkohë që ne me Serbinë kemi pak të tillë dhe aq më tepër, Serbia nuk njeh gjysmën e kombit tonë”, tha Xhaferaj duke shtuar se “ndryshe nga sa thotë Rama, nuk ka komb Kosovar, por komb shqiptar dhe shtet të Kosovës dhe të Shqipërisë”.
Xhaferaj gjithashtu kërkoi nga qeveria që të sistemojë aksin rrugor Vorë-Shkodër, i cili është kthyer në makth për shqiptarët e Kosovës që vijnë në plazhet e Shqipërisë, por edhe për vetë shqiptarët në Shqipëri.
Diskutime rreth kësaj post