Deputeti i PD, Dashnor Sula, i është përgjigjur kritikave të Kreshnik Çollaku në lidhje me rezolutën që dënon sulmin në veri të Kosovës.
Ai nënvizon se Kosova nuk mund të përdoret për lojë politike.
“KOSOVA NUK MUND TË PËRDORET PËR LOJË POLITIKE TË DITËS! Prej 2 javëve në Kuvendin e Shqipërisë janë depozituar dy draft Rezoluta nga grupet parlamentare të PD dhe PS. Palët gjetën dakordësi sot për të dalë me një qëndrim të përbashkët, që në fakt është qëndrimi i institucioneve të Kosovës. Kushdo që për “politikë të ditës” sillet sikur e do Kosovën më shumë se vetë Kuvendi i Kosovës, nëse kishte çështje apo propozime, ishte i lutur të paraqiste Amendamente, sic Rregullorja e Kuvendit e parashikon. Shënimet në facebook nuk janë as punë dhe as ndihmë për çështjen e Kosovës.
Kur flitet për Kosovën, sulmi ndaj kolegëve, për politikë të ditës, nuk nderon askënd. Përkundrazi, i përshfaq në sytë e opinionit publik si qesharakë që kanë humbur rrugën dhe nuk dinë ende se çfarë duan dhe për çfarë flasin. Një javë më parë në seancë plenare “Lideri i tyre” thërriste miratoni Rezolutën e Kosovës, sot fshihet dhe bërtet pse po miratoni Rezolutën e Kosovës. Drafti i dakordësuar është unifikim i qëndrimit të Republikës së Shqipërisë me qëndrimin e Republikës së Kosovës. Mbështetja e qëndrimeve të Kosovës është e vetmja rrugë për të qenë sot krah saj! Të tjerat janë “politikë dite”për t’u shfaqur që ekzistojnë”, shkruan ai.
Diskutime rreth kësaj post