Ministria e Jashtme njofton se 11 shqiptarë janë kthyer nga Izraeli në Shqipëri, ata kanë udhëtuar përmes një fluturimi të organizuar nga Mali i Zi.
“11 shtetas shqiptarë kanë udhëtuar në orët e para të mëngjesit të sotëm nga Izraeli për në Shqipëri përmes një fluturimi të organizuar nga Mali i Zi.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme vijon të shohë të gjitha mundësitë dhe është në kontakt edhe me ministritë e vendeve të tjera të rajonit për t’i ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve që kërkojnë të kthehen në vendet e tyre”, njofton ministria e Jashtme.
Shqiptarët që po kthehen tregojnë edhe sa e vështirë ishte situata në Izrael.
“Unë jetoj këtu në Izrael që 29 vjet. Kam ardhur nga Shqipëria, por në këto ditë të veçanta që po kalon Izraeli ishte shumë e vështirë për mua. Me ndihmën e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë dhe me ambasadën shqiptarë në Izrael neve na bënë të mundur që të udhëtojmë drejt Shqipërisë.
Izraeli po kalon një periudhë shumë të vështirë. Ne jemi shumë të mërzitur, të stresuar, na qan zemra për tragjedinë që ka ndodhur ditët e fundit dhe po e lëmë Izraelin me një dhimbje shumë të madhe në zemër. Dua të falënderoj ambasadën dhe ministrinë e jashtme që e ka ndjekur gjatë gjithë kohës gjendjen tonë dhe na kanë ndihmuar për çdo gjë që të kthehemi në atdhe dhe të jetojmë disa ditë të qeta.
Jemi në Izrael, e vërteta është që unë udhëtoj shumë dhe kam kërkuar nga ambasada të tjera, por ambasada shqiptare në Izrael më ndihmoi shumë. Falënderoj ambasadën dhe shtetin shqiptar. Shumë faleminderit po kthehemi në Shqipëri”.
Diskutime rreth kësaj post