Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, vizitoi shkollën e mesme të Mamurrasit, ku pa nga afër zbatimin e masave për Paketën e Sigurisë në Shkolla dhe mbi problematikat.
Kryetarja e bashkisë së Kurbinit shpjegoi detaje rreth masave të marra për zbatimin e paketës së sigurisë në shkolla, si dhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me përmirësimin e infrastrukturës në ambientet përreth shkollës.
Në takimin me stafin arsimor të shkollës, ministri Balla theksoi se shkolla e vetme e mesme e Mamurrasit është një institucion për të cilin Policia e Shtetit dhe Komisariati i Policisë Vendore, ka një vëmendje të veçantë, edhe për shkak të vendndodhjes që ka.
“Ndaj edhe përcaktimi i perimetrit të sigurisë, duhet të përfshijë të gjitha rrugët, rrugicat që të sjellin për në shkollë. Kështu që për mua është merak i veçantë që edhe në Mamurras, të garantojmë prindërit tuaj, të cilët na e kanë besuar ne këtë detyrë që, jo vetëm në shkollë, por edhe jashtë shkollës, mos bini pre e ndonjë aktiviteti kriminal kryesisht në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, e cila është një sfidë e madhe e gjithë shoqërisë sonë. Kështu që ftoj kolektivin arsimor, drejtuesit e arsimit dhe patjetër me mbështetjen e pakursyer të kryetares tuaj të palodhur të bashkisë që ta fitojmë këtë betejë dhe t’i mbrojmë fëmijët nga çdo lloj fenomeni, sepse përveç fenomenit që përmenda janë edhe fenomene të tjera, është fenomeni i bullizmit apo fenomene të tjera të caktuara”, theksoi ministri Balla.
Në takim me përfaqësues të senatit të shkollës, ku u shpreh se qëllimi është paketa e sigurisë në shkolla, me një rëndësi të veçantë.
“Bashkëpunimi me senatin e shkollës tuaj është i rëndësishëm ku ne mirëpresim nga ju që përmes drejtoreshës së shkollës, oficerit të sigurisë, edhe nga senati, të marrim ankesa, të mirëpritura, për problematika që ju mendoni që i bëjnë dëm kolegëve tuaj.
Fenomeni i bullizmit është një fenomen, i cili duhet luftuar. Por, një prej fenomeneve që shqetëson prindërit tuaj, gjyshërit, gjyshet, është fenomeni i lëndëve narkotike nga i cili edhe Mamurrasi nuk bën përjashtim përkundrazi.
Bashkë me Kryetaren e bashkisë, me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, drejtuesit e arsimit në nivel rajonal, duam që të bëjmë gjithçka është e mundur, në mënyrë që në momentin që ju largoheni nga shkolla, gjithmonë është një punonjës policie që ndjek këtë moment”, shtoi Balla.
Në takimet e zhvilluara me stafin arsimor dhe senatin e shkollës, Balla shoqërohej nga zv.ministri Lamallari, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Rrumbullaku e drejtues të tjerë të policisë në qark.
Diskutime rreth kësaj post