24 delegacione nga vendet e Procesit të Berlinit u mblodhën këtë të premte (06.10) në Tiranë në takimin e Ministrave të Jashtëm, që i paraprin samitit të Procesit të Berlinit që do mbahet po në Tiranë më 16 tetor.
Fokusi i takimit ishte kryesisht krijimi i një atmosfere pajtuese në rajon dhe përmirësimi i performancës ekonomike të Ballkanit Perëndimor, perspektiva europiane, si dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve.
Sulmi në veri të Kosovës nga një grup i armatosur serb në 24 shtator, u bë objekt i diskutimeve në samit, prej nga u kërkua hetimi dhe zbardhja e plotë e kësaj ngjarjeje, si dhe ulja në tyrezën e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.
Baerbock: Sulm tinëzar nga një bandë terroriste
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë Annalena Baerbock kërkoi hetim nga Serbia për sulmin e ndodhur në veri të Kosovës më 24 shtator, ku mbeti i vrarë efektivi i policisë kosovare Afrim Bunjaku. Në konferencën për shtyp pas samitit të Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit në Tiranë, Baerbock u shpreh se provokimet e palës serbe përmes rritjes së prezencës së trupave në kufi me Kosovën e kanë tensionuar edhe më tepër situatën: “Kjo ndodh pas një sulmi tinëzar ndaj policisë kosovare nga një bandë terroriste e armatosur gjer në dhëmbë. Presim që Serbia të çojë përpara hetimin për sulmin e 24 shtatorit dhe ngjarjes së majit ndaj ushtarëve të KFOR” – u shpreh kryediplomatja gjermane. Baerbock shtoi më tej, se NATO ka rritur praninë e KFORIT duke rritur kështu edhe vigjilencën, megjithatë sipas saj, “çelësi i zgjidhjes së konfliktit është në Beograd dhe në Prishtinë”.
Në të njejtën linjë u shpreh edhe komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili nga Tirana kërkoi që Serbia dhe Kosova t’i rikthehen dialogut, ndërsa autorët e sulmit të dalin përpara drejtësisë.
Diskutime rreth kësaj post