Ish-presidenti i Shqipërisë dhe Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndau sot në një konferencë për shtyp qëndrimin e Partisë së Lirisë në lidhje me çështjen e Kosovës dhe të dialogut Kosovë – Serbi.
“Është shumë e rëndësishme që Shqipëria, parlamenti, qeveria të gjitha institucionet në një zë të vetëm të kërkojnë anëtarësimin e Kosovës në NATO, si garancinë absolute të sigurisë jo vetëm për Kosovën por edhë për rajonin tonë”, tha Meta.
Gjithashtu, Meta përshëndeti, “qëndrimin e fundit të KFOR-it, i cili thekson angazhimin e tij, por që bën të qartë që ekskluzivitetin për rendin dhe sigurinë e ka policia dhe institucionet e Kosovës dhe KFOR-i është në mbështetje të tyre”.
“Çdo përpjekje djallëzore, e hapur apo e kamufluar që synon rivendosjen e kontrollit të veriut për KFOR-in, nuk është asgjë tjetër por një përpjekje për të kaluar nga republika e Kosovës tek republika e KFOR-it. Dhe kjo është ideja kryesore e vetë Beogradit zyrtar, pasi synon që kjo çështje, çështja e Kosovës të transferohet në forumin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku 5 anëtarë të Këshillit të Sigurimit, dy nga të cilët të përhershëm Rusia dhe Kina, por edhe Brazili, Mozambiku dhe Ekuadori nuk e njohin Kosovën”, tha Meta.
“Ideja për të krijuar apo për të kaluar tek Republika e KFOR-it nuk është gjë tjetër vecse kërkesa për status të ri të KFOR-it që kërkon aprovimin e Këshillit të Sigurimit dhe që do të thotë pranimin e rihapjes së çështjes së Kosovës brenda rezolutës 1244”, tha Meta.
Ndërkohë, shtoi ai, “është shumë e rëndësishme për Kuvendin e Shqipërisë, është shumë e rëndësishme për qeverinë e Shqipërisë, është shumë e rëndësishme për të gjithë përfaqësuesit e shtetit tonë, të theksojnë në mënyrë të vazhdueshme rëndësinë e vendimit të Gjykatës të Drëjtësisë Ndërkombëtare e cila i dha legjitimitet të plotë aktit të pavarësisë të Kosovës, duke i dhënë përgjigje botërisht pretendimit të Serbisë për këtë çështje”.
Kreu i PL theksoi rëndësinë e unifikimit të qëndrimit të gjithë aktorëve në vend në mbështetje të shtetit të Kosovës, të republikës të Kosovës të sovranitetit dhe integritetit të saj.
“Edhe njëkohësisht dua të shpreh edhe mbështetjen për vazhdimin e dialogut dhe unë besoj që tashmë pozita e Kosovës në këtë dialog është shumë e qartë, është një pozitë e atij faktori i cili duhet të udhëheqë në mënyrë më konstruktive drejt zgjidhjes përfundimtare të kësaj çështjeje, gjithmonë në mënyrë positive, bashkëpunuese dhe në koordinim të ngushtë edhe me faktorin ndërkombëtar. I cili më së fundmi është kthjelluar për faktin se kush ka qenë dhe mbetet minuesi i vërtetë i dialogut dhe i suksesit të tij. Është koha për t’i qëndruar marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit dhe absolutisht kjo është e vetmja rrugë që na çon të gjithëve përpara”, tha Meta.
Kryetari i PL gjithashtu foli edhe për situatën ekonomike dhe sociale në vend.
“Zhvillimi ekonomik e social në muajt e fundit, tregon një përkeqësim të vazhdueshëm përsa i përket modelit ekonomik, ku kemi një dominim të ndërtimit, ndërkohë që është tepër evidente rënia e eksporteve, jo vetëm për shkak të mbiçmimit të lekut, njëkohësisht vazhdimin e nivelit të lartë të papunësisë për moshat e reja, të inflacionit të vazhdueshëm në çmimet e larta të artikujve ushqimorë, dhe të përkeqësimit të treguesve demografik”, u shpreh Meta.
Meta theksoi se, “Prodhimi i Brendshëm Bruto sipas vetë INSTAT shënoi një rritje prej vetëm 3.23 % në tremujorin e dytë të këtij viti. Ndërkohë që sektori i ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme mbeten kontribuuesit më të mëdhenj të rritjes ekonomike, në rreth 67 % apo 2/3 e saj”.
Ky, shtoi Meta, “është një tregues i qartë i vazhdimësisë së modelit ekonomik aktual jo të qëndrueshem i cili nuk mbështetet në sektorët e rëndësishëm dhe afatgjatë të ekonomisë si bujqësia, industria, manifaktura, energjia, uji, etj. Kontributi i Bujqësisë në rritjen ekonomike është në rënie me 0.03 %. Ndërsa kontributi i Industrisë, Energjisë dhe Ujit, është gjithashtu negativ në tremujorin e dytë të vitit 2023, në 0.31 %. Grupi i aktiviteteve Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor, pra grupi ku përfshihet turizmi në rritjen ekonomike në tremujorin e dytë të këtij vitit mbetet fare modest në vetëm 0.19 %”.
Sipas Metës, “ajo që duhet theksuar si alarmante për ekonominë, është kontributi negativ i eksporteve dhe importeve të mallrave, të cilat kanë rënie të theksuar. Eksportet e mallrave kanë treguar në vazhdimësi krizën e thellë të sektorit të eksporteve”.
“Në Gusht 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 27 miliard Lekë, duke u ulur me -21.9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe me -27.4 %, në raport me muajin paraardhës. Importet e mallrave arritën vlerën 68 miliardë lekë, duke u ulur me -15.0 %, në krahasim me një vit më parë. Ne tetë muajt e vitit 2023 totali i eksporteve të mallrave është ulur në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2022, nga 328 miliardë lekë në vitin 2022 në 300 miliardë lekë”, tha më tej Meta.
Ai nënvizoi se, “mbiçmimi i lekut gjatë muajve maj-qershor-korrik-gusht, i ndikuar gjerësisht nga ekonomia informale dhe pastrimi i parave, ka ndikuar thelbësisht në krizën e sektorit të eksporteve”,
Sipas tij, “një shqetësim madhor vazhdon të mbetet niveli i lartë i papunësisë për moshat e reja deri në 29 vjeç”.
“Papunësia e të rinjve edhe në tremujorin e dytë të vitit 2023 në nivelin 22.3 %, mbetet shumë e lartë, duke patur parasysh edhe nivelin shumë të lartë të emigracionit të kësaj grupmoshe, që tregon për një krizë sociale për të gjithë të rinjtë që jetojnë në vendin tonë. Dhe për këtë qeveria nuk tregon asnjë vëmendje të veçantë ndërkohë që kjo është një dramë shoqërore dhe një dramë e çdo familjeje shqiptare”, tha Meta.
“Rritja vjetore e çmimeve në muajin Gusht është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të artikujve ushqimorë. Çmimet e ushqimeve vazhdojnë rritjen galopante, duke shënuar në nivel vjetor një rritje prej gati 8%. Rritja e vazhdueshme e çmimeve kryesisht të atyre ushqimore ka rritur më tej varfërinë e grupeve më të prekura të shoqërisë duke thelluar më tej përjashtimin e tyre social, si edhe ka goditur shtresën e mesme”, u shpreh Meta.
“Të gjitha këto ndikojnë tek treguesi më alarmant, demografia e vendit dhe ecuria e tij. Që është një interes strategjik kombëtar, pasi në këto 10 vite e fundit vendi është goditur në palcë prej emigracionit dhe ritmeve shumë të ulëta të lindjeve”, tha Meta.
Ai u shpreh se, numri i lindjeve në tremujorin e dytë të vitit 2023 është në rënie me 8,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Qeveria shqiptare nuk ka asnjë vëmendje dhe politikë për të krijuar një model ekonomik zhvillimor që sjell mirëqenie dhe punësim për qytetarin, por vazhdon t’i shërbejë një ekonomie informale të zezë dhe klientëve të saj”, tha kryetari i PL, teksa shtoi se, “kjo mos vëmendje e qeverisë ka sjellë si rezultat largimin e të rinjve dhe thellimin e papunësisë tek moshat e reja, rënien demografike dhe njëkohësisht edhe humbjen e perspektivës për zhvillimin e vendit” tha ai.
Diskutime rreth kësaj post