Në krah të njëri-tjetrit, Edi Rama dhe kryeministri kroat Andrej Plenkoviç dënuan vrasjen e efektivit të policisë së Kosovës nga terroristët serbë në 24 shtator në Banjskë. Nga Kroacia, ku zhvilloi një vizitë zyrtare, kreu i qeverisë shqiptare ripërsëriti se e vetmja rrugë për paqen dhe stabilitetin mes Kosovës e Serbisë mbetet dialogu.
“E vetmja rrugë është dialogu, është ndërveprimi me procesin e mbështetur nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pa diskutim jo shfaqjet e ushtrisë serbe në kufirin me Kosovën, të cilat vetëm nxisin tensione dhe rrisin frymën e ndasive, të cilat ne duhet të kurojmë.”
Kryeministri kroat nuk ka asnjë dyshim se pas vrasjes së mirëorganizuar, siç thotë ai, fshihen forca që synojnë destabilitetin e situatës në Kosovë.
“Kroacia e dënon me forcë vrasjen e pjesëtarit të policisë së Kosovës nga grupet e armatosura, këtu bëhet fjalë për një operacion paraprakisht të planifikuar. Kjo ngjarje është një incident shumë serioz dhe është një sinjal i fortë që tregon se ka forca, të cilat duan të destabilizojnë situatën në Kosovë dhe të destabilizojë raportet mes Kosovës dhe Serbisë, dëshirojnë të destabilizojnë situatën në hapësirën e Europës Juglindore.”
Njëzëri të dy kryeministrat i bënë thirrje faktorit ndërkombëtar të aplikojë masa ndëshkimi, si dhe sanksione edhe për Serbinë.
“Këtu bëhet fjalë për masa simetrike minimumi, në raport me ato që janë marrë më parë për Kosovën, të cilat duhet të merren edhe për Serbinë, minimumi”, tha Rama.
“Komisioni Europian ka ndërmarrë disa masa të caktuara në dëm të Kosovës para disa muajsh. Reagimi i komunitetit ndërkombëtar, duhet të jetë i qartë dhe i fortë në reagimet e tyre dhe të përkrahin institucionet e Kosovës para së gjithave”, u shpreh Plenkoviç.
Gjatë konferencës për shtyp, dy kryeministrat thanë se kishin diskutuar edhe për Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në mes të tetorit në Tiranë, mbështetjen që Kroacia i jep Shqipërisë në procesin e afrimit me BE-në, si dhe korridorin Adriatiko-Jonian.
Në Kroaci, Kryeministri Rama u takua edhe me presidentin, Zoran Milanoviç.
Diskutime rreth kësaj post