Deputeti i Partisë Socialiste (PS), në Kuvendin e Shqipërisë, Etjen Xhafa, ka treguar arsyen pse Shqipëria nuk është rreshtuar me Bashkimin Evropian (BE), për situatën në veri të Kosovës, konkretisht në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Xhafa në një lidhje direkte në RTV Dukagjini, tha se qëndrimi i BE-së duhet të ishte më i fortë dhe i prerë në mbështetje të pavarësisë dhe Kushtetutës së Kosovës.
“Po e ndjekim me shqetësim situatën në Kosovë, gjithë faktorët ndërkombëtarë janë ndërgjegjësuar, por janë edhe të shqetësuar për atë sulm të paprecedentë. Qeveria e Shqipërisë janë në anën e Kosovës në këto momente të vështira, po punojmë me kanalet diplomatike, për të mundësuar të ketë ndërhyrje nga të gjitha palët në drejtim të Serbisë, duke pasur parasysh atë që u vendos edhe nga presidenti serb, dhe duke pasur parasysh që ashtu si deklaroi Rama, është hera e parë që Shqipëria nuk rreshtohet në një anë me BE-në”.
“Mendojmë se qëndrimi duhet të jetë shumë më i fortë se sa ai që u shpallë nga institucionet e BE-së, duhet të jetë një qëndrim i fortë dhe i prerë në mbështetje të Kosovës, kushtetutës së Kosovës”, tha ai.
Tutje ai theksoi se është tejet e rëndësishme që i gjithë komuniteti ndërkombëtar të jetë në krah të Kosovës.
Deputeti Xhafa, tha se Shqipëria është duke tentuar vazhdimisht që përmes kanaleve diplomatike t’i ndihmojë Kosovës në sferën ndërkombëtare. Ai tha se Kosova dhe Serbia të kthehen në tryezën e dialogut, por kësaj here të diskutohet së pari ajo që ka ndodhur të dielën në Banjskë të Zveçanit.
“Kemi mundësi t’i kontaktojmë të gjithë, por ajo që duhet edhe më tepër, përgatitja e një strategjie të qartë. Rama ka thënë se ShBA dhe BE, duhet t’i kthejnë menjëherë palët në tryezën e diskutimit por këtë herë duhet diskutuar duke u nisur nga ajo që ndodhi më datë 24, që nga heroi kombëtar Afrim Bunjaku, deri te përpjekje për destabilizim që ishte e paprecedentë për historinë e Ballkanit, dhe që ka ndezur sirena alarmi, dhe ka kujtuar këmbanat e luftës të shkatërrimit të Jugosllavisë gjë që nuk do duhej të ndodhte në vitin 2023”, tha ai.
Diskutime rreth kësaj post