Zija e shpallur zyrtarisht në Beograd për vrasjen e 3 terroristëve serbë nga policia e Kosovës, pasi vranë efektivin Afrim Bunjaku, është konsideruar e papranueshmë nga kryeministri Edi Rama. Në një mesazh në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shqiptare thotë se është sinjali më i keq që i jepet rajonit dhe komunitetit euro-atlantik.
“Në ndërkohën që duhet të kishte hapur një hetim serioz për anëtarët e atij grupi kriminal, lidhjet e tyre me trafikantët e armëve dhe me të tjerë individë apo entitete, në Serbi apo gjetkë, potencialisht të angazhuara në krijimin e një lëvizjeje të armatosur në Veriun e Kosovës, Beogradi me këtë shpallje zije që nuk ka asnjë lidhje me shekullin XXI, i fryn si asnjëherë më parë qysh prej vitit 1999, zjarrit të një konflikti të armatosur! Kjo është jo vetëm e pajustifikueshme dhe e papranueshme, por e dënueshme me të gjithë forcën e fjalës e të instrumentave në dispozicion të bashkësisë euro-atlantike!”
Kryeministri thekson se ky moment duhet të jetë deçiziv për Serbinë e cila duhet ta ndajë mendjen nëse është me botën demokratike, apo me të shkuarën.
“Ky është momenti që Serbia duhet ta ndajë qartë dhe prerë mendjen nëse do të jetë me Europën dhe botën demokratike të shekullit XXI apo me hijen e vetvetes së fundshekullit XX; me vlerat dhe parimet e Bashkimit Europian e të komunitetit euro-atlantik apo me fantazmat dhe me krimet e të shkuarës së saj të palavdishme të viteve ‘90; me të nesërmen europiane të fëmijëve të saj të pafajshëm apo me të djeshmen e fajshme të nacionalizmit vrasës e vetëvrasës!”
Kryeministri Rama kërkon reagim të menjëhershëm nga Bashkimi Evropian e SHBA-të.
“Ky është momenti kur Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara duhet ta ndajnë qartë e prerë mendjen nëse do ta ngrenë në nivelin më të lartë alarmin demokratik për ta ndalur përshkallëzimin e konfliktit në Veriun e Kosovës, i cili ka hyrë në fazën e vet më të rrezikshme qysh prej vitit 1999 apo do të vazhdojnë t’i mbajnë Dialogun për Normalizim dhe angazhimin e KFOR-it në të njëjtin nivel krejt të pamjaftueshëm tanimë!”
Një thirrje, kreu i qeverisë shqiptare i drejtoi dhe Albin Kurtit të reflektojë dhe të veprojë në harmoni e mirëkuptim me komunitetin euro-atlantik.
Diskutime rreth kësaj post