Të besosh tek çifti famëkeq është njësoj si të investosh tek Sudja dhe Rrapushi në ditët e fundit të falimentit. Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka ka shpërthyer në sulme të forta ndaj çiftit Meta-Kryemadhi. Ai ka folur sot në gjykatë sa i takon akuzave mbi inceneratorët dhe ka deklaruar se është në burg për shkak të fjalëve të fallxhores, duke etiketuar në këtë mënyrë Kryemadhin.
Pas pretencës së prokurorisë, Koka dhe avokatët bënë mbrojtjen e tyre lidhur me inceneratorin e Fierit. Ish-ministri u shpreh se nuk ka bërë asnjë shkelje, teksa nuk është kursyer aspak ndaj bashkëshortëve në krye të PL.
“Pagesat dhe ndërtimi inceneratorit kanë filluar në 2018. Unë jam larguar si Ministër më 2017. Shpronësimi i tokës është njohur i ligjshëm me vendim të formës së prerë të Gjykatës Administrative. Statusi i është ndryshuar nga Këshilli Bashkiak Fier para se vendimi të vinte në Këshillin e Ministrave. Gjykohem dy herë për të njëjtën gjë. Akuza është thjeshtë kopje e procesit analog të Elbasanit. Relacioni administratorit të caktuar nga gjykata provon pafajësinë time. Akuza bazohet në mendime personale të fallxhores, jo në prova. Të besosh tek çifti famëkeq është njësoj si të investosh tek Sudja dhe Rrapushi në ditët e fundit të falimentit. Kjo çështje kërkon drejtësi! Drejtësia është vetëm një e pa ndikuar në interesa, e pa ndikuar nga akuza e pa ndikuar nga opinioni. Përndryshe unë do të jem viktima e radhës e kjo padrejtësi mund të bjerë mbi këdo”, tha ai.
Koka pati një mesazh dhe për SPAK. Ai u shpreh se kjo strukturë nuk është kala ku prokurorët janë bërë bashkë ta mbrojnë, por sipas tij, është kalaja e çdo shqiptari për të marrë drejtësi. Ai tha se nuk do të reshtë së kërkuari drejtësi deri në frymën e fundit.
“Me prova e fakte të provoj fajësinë e atyre që më hoqën lirinë në mënyrë brutale duke më arrestuar e më pas duke sajuar prova të turpshme. Meqënese nuk u provua asnjë shumë e përfituar, asnjë llogari bankare, asnjë aset i shtuar që nga viti 2010, prokurorët menduan të më akuzojnë për pastrim parash dhe të sekuestrojnë prona të përftuara që në vitin 2000. Që nga viti 2003 kur mora edhe detyrën e kryetarit të Bashkisë Durrës, kam qenë subjekt i deklarimit të pasurisë dhe pronat që disponoj janë fryt i punës time të ndershme dhe jo i ryshfeteve, as i trafiqeve, as i prostitucionit e as i të qenit aksioner anonim në shoqëri ndërtimi, e për të atillë më njeh Durrësi, qyteti im e më gjerë”, tha Koka.
Më tej ai shtoi se do ngushëllohej në izolim nëqoftëse kallëzimin do e kishte bërë çdokush tjetër shqiptar, por sipas tij, të bëhet nga ai çift famëkeq është e trishtë.
“Ndaj dua sot para jush të kërkoj drejtësi dhe drejtësia është vetëm një, e pa ndikuar nga interesa, e pa ndikuar nga akuza, e pa ndikuar nga opinioni pasi përndryshe një drejtësi e tillë rrit pasigurinë, humbet besimin e opinionit e unë do të jem viktima e radhës duke mos harruar se ajo padrejtësi mund të bjerë mbi këdo”, shtoi ai.
SPAK ka kërkuar 6 vite e 8 muaj burg për Lefter Kokën sa i takon inceneratorit të Fierit. Për prokurorinë ai është i përfshirë në skemën abuzive, ndërsa ish-ministri e deklaron vetën të pafajshëm. /PAMFLET
Diskutime rreth kësaj post