“Nga ngjarjet e fundit në Ballkan po përftion më së shumti Rusia”. Ky ishte qëndrimi i ambasadorit të Ukrainës Volodymyr Shkurov, i cili në një intervistë për Klan News me gazetarin Besard Jacaj, thotë se shteti rus po kërkon tensione në ballkan, duke ju referuar dhe vrasjes së efektivit të policisë në Kosovë.
“Çdo hap i rrezikshëm mund të përkeqësojë marrëdhëniet, deklarata e Vuçiç ishte provokative. Nuk e përjashtoj mundësinë që Rusisë i intereson një situatë e tillë në Ballkanin Perëndimor. Ukraina e kupton pozicionin e Kosovës.”
Ambasadori komentoi edhe debatin e famshëm të delegacionit rus me kryeministrin Rama në tryezën e OKB-së.
“Ka qenë një situatë interesante. Ishte përpjekje për të penguar kryeministrin Edi Rama të zhvillonte sesionin e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit. Përfaqësuesi i Rusisë tentoi të pengojë zhvillimin e mbledhjes, por ky qëllim nuk u arrit falë kryeministrit të Shqipërisë.”
Volodimir Shkurov dha detaje për situatën në Ukrainë, ku më e vështirë paraqitet në jug të vendit.
“Në shumicën e këtyre vendeve ushtarët tanë vijojnë luftimet duke kundërshtuar ofensivën e palës ruse. Kievi sulmohet zakonisht gjatë natës me dronë të cilët po shkatërrojnë vazhdimisht objektet civile. Po presim të marrim mbrojtjen raketore nga aleatët e luftës pasi Rusia po përpiqet të dëmtojë infrastrukturën duke sulmuar magazinat e grurit.”
Teksa “Shqipëria e vogël” siç e konsideron ai, i ka dhënë një mbështetje të madhe Ukrainës, ambasadori Shkurov nuk përjashton mundësinë e një vizite në vendin tonë nga ana e presidentit Zelensky.
“Shqipëria e vogël po mbështet në mënyrë të paprecedentë Ukrainën. Prandaj në parim zhvillimi i dialogut politik do jetë në të njëjtin nivel, nëse më pyesni mua mendoj se ekziston mundësia që Zelensky ta vizitojë Shqipërinë.”
Shkurov u bëri thirrje ndërkombëtarëve të mbështesin Ukrainën, në të kundërt do të favorizojnë Rusinë dhe destabilitetin që ajo kërkon në Europë.
Diskutime rreth kësaj post