Rastet e grave të prekura nga kanceri i gjirit, kanë njohur rritje me 15% për vitin 2022, thotë mjekja e spitalit Onkologjik Anila Pema.
“Shifrat që vijnë në ISHP, por dhe nga regjistri i spitalit onkologjik është 700-800, dhe shkon 15% në krahasim me vitet e mëparshme. Ndoshta vitet e kaluara nuk pati raportim të kancerit të gjirit edhe për shkak të pandemisë. Për 2023, të dhënat nuk janë ende të sakta. Ka një tendencë që të ruhen shifrat e vitit të kaluar”, thotë ajo.
E ndodhur në aktivitetin e radhës për sensibilizimin e grave dhe vajzave, mjekja onkologe ndan disa faktorë që ndikojnë në shfaqjen e sëmundjes, por ndërgjegjësimi për kontrolle të hershme rezulton se ka vënë në qëndrueshmëri humbjet e jetës.
“Mund të lidhet me ndryshimin e stilit të jetesës, lindshmërisë së vonë. Faktorëve të brendshëm dhe të jashtëm, por nga ana tjetër kemi një stabilitet të mortaliteteve. Si pasoje e shtimit të gamës së medikamenteve, por edhe kapja e hershme që është dhe më e rëndësishmja e sëmundjes. Mbijetesa është e lidhur me stadin që kapet sëmundja. Nëse kapet sëmundja në stadin e parë në 1 cm apo 1.5 cm, shanset për mbijetesë të përgjithshme shkojnë tek 90%”, vijon mjekja Pema.
Mamografia, ekografitë dhe vetëkontrolli janë të vetmet mënyra për ta kapur sëmundjen.
Mjekja specifikon moshat e depistimit për vajzat që rrezikohen nga trashëgimia e kancerit të gjirit.
“Janë 2 elementë të rëndësishëm. Këshillohet debistimi me mamografi. Nuk këshillohet mamografia poshtë moshës 40 vjeç sepse gjiri është shumë i dendur dhe nuk shfaqen të dhëna të sakta. Nën këtej moshë, kontrolli bëhet edhe vetëm me duar. Nëse ka anamneza familjare, debistimi duhet të bëhet përshembull: Nëse një gruaje i është shfaqur kanceri i gjirit në moshën 38 vjeçare, vajza e saj duhet të filloje depistimet që në moshën 25 vjeçare, por edhe nëpërmjet ekografive”, shprehet mjekja.
Mjekja e spitalit Onkologjik, kërkon që depistimi i grave dhe vajzave të bëhet intensiv gjatë gjithë vitit, pasi sëmundja nuk shfaqet vetëm në muajin e sensibilizimit Tetorin rozë.
Diskutime rreth kësaj post