Kur Rama iu ofertua shqiptarëve me eufemizmin ngacmues “rilindje”, teksa ishte në opozitë e synonte pushtetin, po i jepte qeverisjes së tij të pritshme një vokacion mjaft të gjerë reformues të Shqipërisë, duke përfshirë në të dhe një lloj ambicie edukuese për një shoqëri të rrënuar dhe moralisht në kushte postkomunizmi. Nuk e kishte ndokund në program, nuk shpalli ndonjë strategji për të, por kështu u duk. Tek e fundit, nocioni “rilindje” këtë nënkupton, edhe duke iu referuar Rilindjes Kombëtare nga ku u huazua, e cila ishte frymë që tentonte një mendësi të re, atë patriotike, e jo thjesht program zhvillimor në terma ekonomikë.
Qeverisja 10-vjeçare e Ramës nuk ka asgjë prej një rilindjeje shoqërore në terma moralë; ajo ka reforma me prirje zhvillimore, shumë të diskutueshme, por asnjë lloj përpjekjeje apo strategjie risimtare për t’u marrë me edukimin e një shoqërie, e cila ka dhe një handikap të madh: mungesën e një morali të përbashkët shoqëror.
Nuk ka komb apo vend që nuk ka kaluar në një proces edukues shoqëror në një kohë të caktuar, të cilat fare mirë mund të studioheshin si referencë për të ndërtuar një strategji të tillë, e cila do niste qëë në shkolla e duke vijuar me median.
Mjafton kjo e dyta, e cila pothuajse është tërësisht çedukim. Një qeverisje me një strategji edukuese duhej të shkonte deri te diktimi i formateve edukuese te programet mediatike, ku të kishte një hapësirë dhe për kumtin fetar. Të ishte e detyrueshme kjo si kusht për licensim. Dhe më kryesorja shkolla. Shkolla, arsimi, është fytyra e një shteti, e një qeverisjeje, se sa ajo është epokale, reformuese, e prirur për të shkruar epokë suksesi.
Qeverisja e Ramës u mëshon të tjera gjërave në arsim, por jo thelbit që është edukimi, kualiteti njerëzor që del prej aty. E tani, ministri Balla ngre alarmin e drogës në shkolla, duke u hapur luftë atyre spaçatorëve e rrjeteve pas tyre. Por siç dhe vete e artikulon, nuk është ndëshkimi por edukimi. Qeverisja e tij priret drejt ndëshkimit por jo edukimit.
Gjenialiteti i deritanishëm i Ramës konsiston më tepër te shijet e tij estetike të diktuara në infrastrukturën urbane, gjithashtu te përballimi i disa krizave, te një prirje për vepra të mëdha zhvillimore, por aspak te një rilindje e pretenduar ose kërkuar shoqërore.
Gjeni i vërtetë i një qeverisjeje në Shqipëri do jetë ai që e vë në rend të parë pikërisht rilindjen shoqërore, atë që synon moral shoqëror.
Si shembull, reforma në drejtësi s’mund të sjellë asesi drejtësi shoqërore nëse nuk ka në thelb edukimin e jo ndëshkimin e atyre që duhet të s’japin drejtësi. Dhe kjo vlen për çdo fushë. Por nga vjen ky edukim? Në radhë të parë nga modeli i moral i atyre që qeverisin, duke nisur nga gjuha në publik, mesazhet që përcjellin, dhe mbi të gjitha përputhshmëria e fjalëve me vepra. Por ç’ndodh? Të gjithë ata që merren me pisllëqe në këtë vend, të cilët qeveria paralajmëron t’i ndëshkojë, joshen nga modeli Arben Ahmetaj, që për dreq s’është i vetmi!
Prej së këndejmi ka rënë gjithë ngrehina e Rilindjes. Tashmë nuk ka rëndësi se sa burg do bëjë Arben Ahmetaj(nëse kapet në arratinë ku ndodhet), gjersa atij, pa asnjë lloj stofi moral, pa iu marrë parasysh edukimi i çalë, provat që kish lënë për këtë kudo ku kish qenë, iu besua pushtet me miliona për menaxhim. Ndëshkimi i tij nuk e edukon shoqërinë!
Diskutime rreth kësaj post