Ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit, Ioanis Ikonomu po zhvillon një takim me Fredi Belerin, kryetarin e zgjedhur, të pabetuar, të bashkisë Himarë.
Një ditë pas pjesëmarrjes në Samitin e Ministrave të Brendshëm të vendeve të nismës së Berlinit që u mbajt në Tiranë, këtë paradite Ikonomu ka mbërritur pranë IEVP-së Durrës, për të takuar Belerin, raporton TCH.
Çështja për Fredi Belerin ka kaluar tashmë për gjykim, me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Fredi Beleri u arrestua në flagrancë dy ditë para zgjedhjeve lokale dhe vijon të mbahet në burg edhe pasi doli fitues në garën e 14 majit, nën akuzën për korrupsion në zgjedhje.
Në pamundësi për të bërë betimin si kryebashkiak, Beleri akuzoi kryeministrin Rama si personin përgjegjës që pengon dhënien e lejes së veçantë që ai të kryej betimin. Sipas Belerit, nuk ka asnjë vendim gjyqësor që të ketë rrëzuar kërkesën e tij, pasi kjo do të përkthehej në kufizim të rëndë të të drejtave kushtetuese.
Kryeministri Rama vazhdimisht është shprehur se çështja Beleri i takon vetëm drejtësisë.
Gjatë Asamblesë Kombëtare të PS-së, ai tha se nuk ka asgjë për të diskutuar me palën greke në lidhje me këtë çështje sepse pala greke nuk dëgjon asnjë koment por vetëm këmbëngul duke rënë ndesh me ligjet tona.
Diskutime rreth kësaj post