Katër apartamente janë shkrumbuar krejtësisht në pallatin 10-katësh që u përfshi nga flakët një ditë më parë në rrugën ‘Sali Butka’, në zonën e njohur si ish-Parku i Autobusëve në Tiranë.
Burime bëjnë me dije se banorët e pallatit e kanë kaluar natën tek të afërmit e tyre dhe në hotele, ndërsa presin ekspertizën e grupeve të ekspertëve.
Ndërkohë administratori dhe mjeku, ky i fundit banor i katit të fundit që u përfshi nga flaket, pasi u është marrë dëshmia, janë lënë të lirë.
Sipas burimeve policore, ata janë pyetur si dëshmitarë dhe deklarata e tyre i është dërguar grupit hetimor, ky i fundit në pritje edhe të ekspertizës përfundimtare të shkakut të zjarrit. Mëngjesin e sotëm, grupi i ekspertëve, të cilët janë ngritur edhe për të hetuar ngjarjen, kanë shkuar në pallat për të verifikuar dhe mbledhur prova për të zbardhur shkaqet e rënies së zjarrit.
Sipas informacioneve, hyrjet e dëmtuara kanë qenë objektiv i grupit hetimor, ndonëse pika kyçe është dhe dupleksi, kati i fundit i pallatit nga i cili nisi dhe zjarri.
Shkak dyshohet të jetë bërë ndonjë pajisje elektroshtëpiake e harruar në prizë.
Diskutime rreth kësaj post