Në një intervistë për ‘Real Story’ me gazetarin Sokol Balla në ABC News, kryebashkiaku Veliaj iu kthye edhe një herë rezultatit që mori në zgjedhjet e 14 majit. Veliaj tha se PS korri fitore edhe te tre zonat ku Foltorja kishte shpresa të mëdha, si Kombinati, Astiri dhe “5 Maji”, ndërsa theksoi se e djathta tregoi gjatë qeverisjes së saj që nuk ishte e aftë të bënte asnjë shkollë të re, ndërsa në tetë vitet e fundit në kryeqytet janë bërë 40 shkolla të reja.
“Deri dje te zona e 21-shit, pra te shkollat e njësisë 7 gravitonte gjithë Astiri dhe gjithë njësia 6. Këtu jemi në një situatë ku në Kombinat shkolla ‘Betim Muço”, “Lasgush Poradeci” dhe shkolla e re “Musine Kokalari”, praktikisht gjithë këtë shkarkim të Kombinatit e kanë zgjidhur. Tani na ka mbetur për të zgjidhur vetëm çështjen e Astirit. Në cep të njësisë është shkolla që mban me dinjitet emrin e kolegut tonë Andrea Stefani, një shkollë totalisht e re.
Lul Basha në 2011, me Tiranën e vogël dhe me gjithë dhe me po të njëjtët aleatë, me LSI e këto mori 125 mijë vota, me Tiranën e vogël. Me Tiranën 30% më të madhe në popullsi dhe 24 herë në sipërfaqe, këta morën 100 mijë vota.” -tha ai.
Veliaj u shpreh se në kohën që Astiri dhe Kashari drejtoheshin nga PD, nuk lanë asnjë hapësirë për shkolla.
“E dinë që ata nuk e bëjnë dot, se e kishin ata Astirin e Kasharin dhe një nga problematikat që kemi pasur është që nuk kanë lënë asnjë vend, nuk kanë lënë asnjë vend, se një shkollë nuk mund të ndërtohet si një minare ku ti duhet të bësh turielën. Një shkollë duhet të ketë 10 klasa në katin e parë, 10 në kat të dytë e me radhë.
Jo vetëm kaq! Këta zyrtarë të PD dhe ata të tjerët që janë marrë me legalizime, se të mos harrojmë edhe Shaban Meminë, se ka qenë një frymë ku Tirana, si zyrtari lokal, si Saliu në qendër, si ai që legalizonte e kthyen atë në një rrumpallë dhe në një konflikt social urbanistik midis Tiranës së Edi Ramës që po zhvillohej me rregull e disiplinë dhe një Tirane që fizikisht ishte afër, por s’kishte lidhje me Tiranën dhe konceptin e kryeqytetit”, u shpreh Veliaj.
Kreu i Bashkisë siguroi se në këtë mandat edhe Astiri do të ketë shkollat e reja.
“Janë katër shkolla përnjëherë. Kemi çliruar 3 territore, po çlirojmë edhe të fundit, jemi në fund të atij procesi por për sa kohë që janë çliruar 3, ajo që ndoshta do bëj është që do ia jap dritën jeshile të bëhet loti me 2 pjesë. Tre të parat dhe pastaj tjetra. Nuk do e lë këtë Bashki pa zgjidhur Astirin, por dua të kujtoj që kur erdha në Bashki, s’ishte zgjidhur Astiri, Fresku. Sot Fresku ka shkollën “Klodian Tanushi”, “Luan Hajdaraga”. Dje sapo hapëm shkollën “Lekë Gjiknuri”. Kur kujtoj që Kodra e Kamzës, se ne harrojmë që zonë të themi periferi me Tiranën ka qenë gjithë zona e Kodër Kamzës. Shkolla “Nënë Tereza”, “Kenedy” janë bërë disa nga shkollat më të bukura të kryeqytetit. Jam fajtor që nga 12, kam zgjidhur 11 dhe më ka ngelur 1, por kush nuk zgjidhi asnjë dhe s’ndërtoi asnjë shkollë, qartazi humbi me 60 mijë vota”, deklaroi Veliaj.
Ai shtoi se Tirana e sotme nuk ka lidhje me “fjetinën” që konturoi Besnik Fuçia e Shaban Memia në kohën e Saliut. “Diferenca mes fjetinës dhe komunitetit është që një njeri që vetëm fle dhe nuk do t’ia dijë për kopsht, shkollë, çerdhe se thotë: Unë do ha, do pi. Kurse një njeri që thotë: Prit, se unë jam një specie sociale, nuk jam vetëm një specie fiziologjike. Unë këtu kam komshiun, një kënd lojërash, kam shkollë dhe diferenca mes Tiranës që konturoi Edi Rama dhe Tiranës që konturoi Besnik Fuçia, Shaban Memia, Saliu dhe gjithë të tjerët, janë mes një fjetine, ku ne kryejmë vetëm funksionet fiziologjike e nuk lëmë më hapësirë për shkollë”, tha Veliaj, ndërsa theksoi se nuk do e lë Bashkinë e Tiranës, pa zgjidhur edhe Astirin.
Diskutime rreth kësaj post