Deputetja Flutura Açka ka njoftuar se do të japë dorëheqjen nga posti i kryetares së Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik. Në fjalën e saj, në nisje të mbledhjes së zhvilluar ditën e sotme, ajo ka bërë me dije se për këtë vendim ka njoftuar kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ky i fundit, siç vetë Açka tha, nuk e ka pranuar, e ndërsa nuk është njoftuar as Kuvendi.
“Ngaqë ndjej fyerje, por edhe çështje etike, i kam kërkuar kryetarit të partisë dorëheqjen, jam duke pritur deri kur të aprovohet, jam në një shqetësim të madh në këtë pikë, sepse të gjithë bashkë e dimë se çfarë ka ndodhur dhe bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë”, njoftoi Açka.
Ky vendim i marrë nga Açka i referohet mbledhjes së zhvilluar në 19 korrik, ku deputetët e mazhorancës në Komision miratuan me votat e tyre ndryshimin e ligjit për Akademinë e Shkencave. Nisma ligjore ishte propozim i dy deputetëve të PS-së, Petro Koçi dhe Ismet Beqiraj i cili në vetvete i dha mundësinë Skënder Gjinushit të zgjidhet sërish në krye të Akademisë së Shkencave. Kjo për deputeten ishte një akt i turpshëm, të cilën, tha se nuk e “ka të lehtë ta kapërdijë”, teksa listoi argumentet pse e gjithë mbledhja ishte në kundërshim me ligjin.
“Në mënyrë klandestine, në shkelje të hapur të rregullores, vetë jam përpjekur në këto 2 vjet që të i emetoj kolegëve një qasje pak më pak politike, sepse secili jemi njerëz politik, por bëjmë ligje, për mirëqenien e shqiptarëve, jo për të ndenjurat e dikujt, duke qenë se është kështu dhe ky shtet ka vazhduar, unë do shpjegoj disa gjëra që bien ndesh dhe me rregulloren dhe etikën e këtij komisioni, duke qenë në këtë rol, kolegëve të mi shpresoj të kem sjellë një qasje më miqësore dhe më përbashkues”– tha ajo.
Diskutime rreth kësaj post