Kombëtarja shqiptare e futbollit do të presë sot në 20:45 Poloninë në “Air Albania”, sfidë kjo e vlefshme për kualifikueset e Europianit “Gjermani 2024” në Grupin E. Pas barazimit 1-1 kundër Çekisë në Pragë, entuziazmi te kuqezinjtë është shtuar, teksa tanët mbajnë vendin e dytë në grup (7 pikë), duke lënë pas Poloninë dhe qëndrojnë një pikë më pak se çekët kryesues.
Ndeshja e sotme është e rëndësishme për kombëtaren shqiptare, pasi kuqezinjtë e drejtuar nga Silvinjo do të kërkojnë që të përsërisin historinë e 8 viteve më parë, kur Kombëtarja arriti të kualifikohej në Europianin “Francë 2016”.
Dueli është deçiziv për fatet e kualifikimit, me “Shqiponjat” kuqezi që kanë në dorë kalimin ose jo në fazën finale të “Gjermani 2024”, paçka se pas Polonisë luhen edhe tre ndeshje të tjera.
Pritet një sfidë e vështirë, pasi përballë kombëtares do të jetë Polonia e Levandovskit, të cilën Shqipëria e ka mundur vetëm një herë.
Dy skuadrat janë përballur 14 herë në histori, teksa Shqipëria ka marrë vetëm një fitore, ka barazuar tre herë dhe ka humbur dhjetë herë me Poloninë.
Në këtë përballje duhet shmangur humbja. Trajneri brazilian Sylvinho duket se ka sërish dilema, duke nisur që nga mbrojtja, aty ku Hysaj nuk bindi në Çeki.
Në balotazh edhe Seferi me Uzunin, ndërsa mesi i fushës duket se nuk do ndryshohet.
Gjithsesi trajneri na ka mësuar me surpriza.
Kujtojmë se Qazim Laçi është larguar nga grumbullimi për shkak të gjendjes gripale.
Dueli në “Air Albania” pritet të jetë i zjarrtë, me Federatën Shqiptare të Futbollit që ka marrë masa për këtë duel.
Duke qenë se biletat janë shitur rreth një muaj më parë dhe në stadium priten 21 mijë tifozë, organi i futbollit kërkon që mos ketë sende të forta në fushë, çka mund të sjellë pezullimin e ndeshjes apo dënimin me gjobë nga UEFA.
Formacioni i mundshëm i Shqipërisë:
Shqipëria (4-3-3): Berisha; Hysaj (Balliu), Ismajli, Gjimshiti, Mitaj; Ramadani, Asllani, Bajrami; Asani, Seferi (Uzuni), Cikalleshi Trajner: Sylvinho
Diskutime rreth kësaj post