Çështja e Fredi Belerit ka tensionuar marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë gjatë javëve të fundit, teksa kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës ndodhet në qeli nën akuzën për blerje votash.
Beleri kërkon që të betohet nga burgu, por nuk është lejuar. E nëse përfundon afati i 90 ditëve, atëherë do të duhet që për Bashkinë e Himarës të organizohen përsëri zgjedhjet.
Në një intervistë për televizionin grek ERT, Kryeministri Edi Rama bëri të ditur se për këtë çështje ka kërkuar opinion nga departamenti ligjor në Kryeministri se si duhet të veprojnë me këtë rast, të cilin ai e konsideron “specifik”.
Por Rama ka bërë thirrje sërish që të pritet përgjigje nga drejtësia për pafajësinë apo fajësinë e Belerit.
-Në këto kushte që jemi, mesa duket zoti Beleri do të humbasë, nuk mund të betohet dhe do ta humbasë datën e betimit. Në intervistën tek Kathimerini latë të kuptohet se mund të mos bëhen zgjedhje të reja në Himarë, pra si do do të shkojë? Do të jetë përsëri Goro? Është pak konfuze e gjitha kjo, zoti Kryeministër. Si do të qeveriset nesër Himara?
Kryeministri Edi Rama: Së pari njëherë, nëse unë nuk gaboj dhe nuk besoj se gaboj, zoti Goro i përket të njëjtit grup apo jo?
-Minoritetit.
Kryeministri Edi Rama: Po pra, pra kjo është një arsye më shumë për të ngritur supet sepse zoti Goro i cili ka përfaqësuar si kryetar bashkie, partinë që unë drejtoj, ashtu sikundër edhe dy kryebashkiakë të tjerë, të cilët sot janë në detyre dhe sot gëzojnë të drejtën ta ushtrojnë detyrën si përfaqësues të minoritetit grek; njëri me mbështetjen e PS edhe pse jo i PS-së, tjetri i PS, tregojnë që këtu s’ka një përplasje mes shqiptarësh dhe grekësh. Këtu ka një bashkëjetesë krejt të arsyeshme dhe krejt normale. Sa mijëra e mijëra tituj pronësie i ka dhënë familjeve minoritare për shtëpitë e ndërtuara pa leje, siç kanë bërë edhe shumë të tjerë familje shqiptare, apo titujt e pronësisë për objektet e kultit. Sot kishat në minoritet kanë tituj pronësie sepse qysh nga koha e komunizmit e deri kur kjo qeveri mori detyrën, jetuan të zhveshura nga kjo titujt e pronësisë.
Kërcënimet për pengim të rrugës së mëtejshme te integrimit të plotë të Shqipërisë dhe anëtarësimit të saj të plotë në BE, në ndërkohë që qeveria nuk ka asnjë mundësi ligjore që të hyjë në këtë proces, që t’i japë leje një të paraburgosuri që të shkojë të bëje betimin apo që të betohet në zyrë me noter siç thonë, është në mospërputhje të plotë, qoftë me të drejtën sovrane të Shqipërisë për të ushtruar dhe për të zbatuar legjislacionin e vet evropian në perimetrin e Republikës së Shqipërisë, qoftë edhe me bashkëjetesën evropiane mes vendesh që janë vende demokratike, që i përkasin të njëjtës familje vlerash dhe ku nuk mund të bëjë vaki që njëri vend t’i tregojë tjetrit se si duhet të funksionojë në një rast konkret dhe çfarë duhet të bëjë në një rast konkret njëri apo tjetri për të zbatuar ligjin në vendin e vet.
Në ndërkohë që siç e kam thënë, ne jemi duke studiuar rastin, pasi kur përfundon afati i 90 ditëve, normalisht sipas çfarë thuhet në ligj, qeveria duhet ta shkarkojë kryetarin e zgjedhur që nuk është paraqitur për të bërë betimin dhe duhet të caktojë një kujdestar deri në zgjedhje të reja. Mirëpo ky është një rast shumë specifik dhe për këtë arsye unë i kam kërkuar departamentit ligjor këtu në Kryeministri që të japë opinionin se çfarë duhet të bëjmë ne dhe do të zbatojmë përsëri atë që është më e drejta. Unë do të isha i lehtësuar nëse ne do të mundeshim që t’i linim procesit gjyqësor mundësinë të përfundonte dhe në fund të procesit të dinim nga drejtësia, jo nga Greqia nëse ky njeri është i fajshëm apo është i pafajshëm.
Diskutime rreth kësaj post