Ushtruesi i detyrës së kryetarit të organizatës së veteranëve të luftës së UCK-së, Faton Klinaku është marrë sot në pyetje nga policia për deklaratën e një dite më parë mbi kryeministrin Albin Kurti, kur tha se më parë do ta vriste atë sesa të linte Kosovën.
Klinaku u përpoq të sqaronte se pohimi i tij është nxjerrë nga konteksti dhe nënvizoi se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen, pavarësisht thirrjeve që po i bëhen për një lëvizje të tillë.
“Sapo dola nga stacioni policor. Me urdhër të prokurorit u intervistova lidhur me deklaratën. Siç e thashë edhe në polici, ajo deklaratë është nxjerrë nga konteksti. Kaq mund të them për mediat. Sa i takon kërkesës për dorëheqjen time, nuk e kam në plan. Nuk më kanë zgjedhur ata që po kërkojnë largimin tim, por anëtarët e organizatës së veteranëve”, bëri të ditur ai. Ndaj deklaratës së tij se më parë “vras Albin Kurtin se t`i hap rrugën e të iki nga Kosova”, reagoi kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i cili e cilësoi atë të papranueshme dhe një kërcënim të hapur.
Edhe më i ashpër ishte qëndrimi i deputetit të Vetëvendosjes, Artan Abrashi, sipas të cilit fakti që Klinaku ka përdorur fjalën vrasje flet shumë. Është e qartë, tha Abrashi, se PDK në metodat e saj “nuk e ka braktisur vrasjen si mjet ndaj kundërshtarëve të vet”.
Diskutime rreth kësaj post