Sipërmarrjet turistike në Shqipëri po synojnë të gjejnë profesionistë të kualifikuar për t`iu përgjigjur nivelit të shërbimeve që kërkojnë turistët. Alexa Bordho një instruktore e kalërimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës po punon në Gjirokastër prej disa muajsh me një kompani shqiptare duke ndarë përvojën e saj.
Aleksa vlerëson sidomos programet e edukimit me kalërimin me kuajt shqiptarë në natyrë që po tërheqin gjithnjë e më shumë të gjitha moshat.
Poshtë këmbëve të Malit të Lunxhërisë në Gjirokastër në një fermë të kalërimit me kuaj Alexa Bordho po zhvillon mësimin e radhës me kuaj për dy fëmijë shqiptarë.
Alexa prej dy vitesh po qëndron në Shqipëri dhe pas një përvoje në Durrës po punon në këtë fermë në Gjirokastër si instruktore kalërimi prej 5 muajsh.
“Eksperienca ime në Shqipëri është me të vërtetë unike, unë realisht kam një vlerësim për të gjitha vendet e Ballkanit, bashkëshorti im është shqiptar dhe është kënaqësi që jam këtu”, thotë Alexa.
“Unë e dua Gjirokastrën. Kam gjetur këtu një qytet të paqtë, shumë të dashur dhe e dua fshatin ku unë jetoj këtu pranë”, thotë Aleksa.
Me një përvojë 15 vjeçare me kuajt Aleksa rrëfen se si e nisi pasionin e saj.
“Unë kur isha e vogël lëviza me mamanë time nga Cikago në Pecatonica një fshat i vogël të Ilinoit. Në atë periudhë unë fillova të pëlqeja kalërimin me kuaj. Për shumë vite kam studiuar për kuajt dhe kam marrë përvojë nga shumë kalërues dhe trainerë të famshëm në Amerikë derisa unë përfundova studimet profesionale. Ndërkohë që tani po bëj të kundërtën në Shqipëri duke mesuar te tjeret. Që të jetosh në Shqipëri nuk është e lehtë pasi të shkosh në një vend të ri është gjithmonë sfiduese”, thotë Alexa.
Krahas familjes që ka larg dhe i mungon apo sfidave të para të përshtatjes me realitetin shqiptar Alexa flet edhe për vështirësitë në punën me kuajt e rinj të rracës shqiptare.
“Disa nga kuajt që unë kam trajnuar këtu kanë qenë veçanërisht të vështirë , mund të them që kanë kerkuar shumë durim dhe megjithëse janë kuaj me vështirësi të personalitetit duket se ia kam dalë tani dhe gjithë kjo përvojë me kuaj të rinj më ka bërë mua një person më të aftë në fushën e trajnimeve me kuaj”.
Këto programe janë mjaft të rëndësishme për të krijuar kalorës të rinj, thotë Kristina Fidhi që së bashku me Ilir Hitajn kanë ngritur këtë sipërmarrje të organizimit të udhëtimeve me kuaj për turistët si vendas.
“Aleksia po ia del shumë mirë. Kemi klientë, kalorës dhe nxënësit e saj të parë të cilët e kanë me shumë zemër kontaktin me kuaj. Ajo që u mëson Alexa nxënësve të saj është të njohin kalin njëherë dhe pastaj ta kalërojnë atë. Shkolla e kalërimit ka pasur qëllim të krijojë një komunitet kalorësish i cili na mungon ne në Shqipëri. Ne shpresojmë që në 5 vitet e ardhshme të kemi krijuar të paktën 200 kalorës.”
Kristina thotë më tej se u është dashur shumë kohë për të krijuar një staf të plotësuar për udhëtimet me kuaj.
“Nuk është vetëm që duhet të gjesh njerëz për këtë sipërmarrje por të duhet t`i kualifikosh ata, të duhet të punosh me vite për të krijuar një guidë apo një instruktor. Dhe kjo nuk është shumë e lehtë. Fatmirësiht ne tani kemi një staf të plotësuar por na është dashur shumë kohë për ta motivuar dhe për ta mbajtur atë aktiv përgjatë këtyre viteve”.
Rraca e kuajve është autentike shqiptare dhe itineraret që ndiqen nga kalorësit që vijnë nga anekënd botës por edhe nga brenda vendit në zonat në jug të Shqipërisë janë mjaft mbresëlënëse.
Itineraret zgjasin mbi një javë, thotë Kristina. Njëri prej tyre përfshin zonën e Zagorisë deri në rrjedhën e Vjosës shpallur së fundi Park Kombëtar, një itinerar tjetër përshkon rrugën e vjetër mesjetare të karvaneve të tregëtarëve dhe një i tretë udhëtimin që mbreti Skerdilajd bëri me ushtrinë e tij dy mijë vite më parë duke dalë nga malet e thepisura në det.
“Ne jemi të fokusuar kryesisht tek itineraret e gjata që zgjasin nga një javë dhe një ekspeditë që është 12 ditore që përshkon të gjithë territorin mbi Zagori dhe del përgjatë Vjosës. Kjo edhe në emër të mbështetjes së komunitetit të Vjosës që tashmë është Park Kombëtar. Ne kemi dashur të besojmë që në fillim që prej turizmit dhe ekoturizmit mund të fitohet më shumë se sa prej ndërhyrjeve të tjera të dëmshme në natyrë. Kështu që ai është një tur për Vjosën plus tret ë tjera që lidhen me historinë tonë.”
Turizmi natyror dhe ai i aventurës po pasurojnë ofertën turistike të Shqipërisë dhe ndonëse me shumë sfida sipërmarrjet po dëshmojnë se po krijojnë shërbime gjithnjë e më tërheqëse si për turistët vendas dhe ata të huaj.
Diskutime rreth kësaj post