Rreth 60 familje të fshatit Markatomaj në Lezhë, prej më shumë se 10 vitesh vuajnë mungesën e ujit të pijshëm, ata thonë se ndihen të harruar nga shteti, pasi edhe pse janë taksapagues të rregullt, askush nuk i ka dhënë zgjidhje problemit të tyre pasi edhe projekti i ujësjellësit të ri është lënë në gjysmë.
Në çezmat e shtëpive prej 10 vitesh nuk rrjedh asnjë pikë ujë.
Ky është shqetësimi i 60 familjeve të fshatit Markatomaj të Njësisë Administrative Zejmen në Lezhë, të cilëve në këto ditë vere me temperatura të larta u mungon uji i pijshëm.
Edhe pse thonë se janë taksapagues të rregullt, banorët shprehen se kjo situatë u ka vështirësuar jetesën pasi askush nuk u përgjigjet, ndërsa ujin detyrohen ta blejnë ose ta mbushin nëpër burime.
“E kam paguar ujin rregullisht, një për një. Shtetit nuk ja kam një qindarkë borxh dhe jam vetë i shtati pa pikën e ujit. Komuna thotë do ta ndreq sot do ta ndreq nesër. Shkoj prap do ta ndreqim, por kur do ndreqet ky ujë apo kur të vdesim ne”, shprehet një banor.
“Kjo është katastrofë, jo vështirësi. Duhet me ndenj edhe natën gjithsecili ,kush po mbush paguret e ujit, kush po mbush kovën për tek boti atje se duhet me ndenje fik dhe ndez natë e ditë”, thotë një banore e zonës.
“Situata shumë e vështirë se kështu shihet vetë dhe nxehtësia, por kryesorja është që nuk kemi ujë as me u la”, thotë një banor tjetër.
Sipas banorëve, pjesë e projektit të Ujësjellësit të Ri të fshatrave të Zejmenit është dhe Markatomaj, por investimi është lënë në gjysmë.
“Ujësjellësi i ri, nuk e ka pikën e ujit. Shpjegimi i tyre është tubin kryesore e kanë lidhur në tub të vjetër. Me u la marr botin , mbush bidonin 70 kg gruaja këtu”, thotë banori i fshatit Markatomaj
“Kërkojmë ujësjellësin e ri, të na e lëshojnë të vij 6 orë uji të paktën”, shprehet një banor tjetër.
Burime nga Bashkia Lezhë, bëjnë me dije se Ujësjellësi i ri nuk do të merret në dorëzim pa përfunduar plotësisht investimi, siç është parashikuar në projekt dhe riparuar problematikat e shfaqura.
Diskutime rreth kësaj post