Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Clinton, sot i mbush 77-vjeç, ai ishte presidenti i 42-të i Amerikës dhe iu gjet popullit të Kosovës në një kohë shumë të vështirë.
Rezistenca paqësore kundrejt regjimit serb, kishte nisur prej kohësh me protesta masive që përfunduan të përgjakshme pasi shumë qytetarë civilë shqiptarë, u rrahën nga forcat serbe-metodë kjo e frikësimit për t’i heshtur shqiptarët e Kosovës.
Me hyrjen udhëheqësit famëkeq të Serbisë në pushtet, Slobodan Millosheviq, në vitin 1989, autonomia e Kosovës brenda Jugosllavisë u revokua dhe dhuna, tortura, frikësimi, vrasjet e terrori u bë metoda e tij për adresimin e çështjes së shqiptarëve të Kosovës.
Si rrjedhojë e rraskapitjes nga ky trajtim, shumë të rinj kosovarë si alternativë të vetme e panë largimin nga Kosova.
Mirëpo një grup tjetër në vend të largimit, kishin zgjedhur të qëndronin në vendin e tyre dhe të fillonin rezistencën e armatosur, ç’ka më vonë u bë e ditur si Ushtria Çlirimtare e Kosovës me shënjestrimin e forcave serbe në vitin 1996-’97.
Pas shumë vizitave e takimeve me politikbërës të huaj të presidentit të atëhershëm të Kosovës, Ibrahim Rugova i zgjedhur me votë prej shumicës dërrmuese të kosovarëve, për ta ndërkombëtarizuar çështjen e Kosovës dhe për ta gjetur një zgjidhje, lufta e shkallës së gjerë në Kosovë veçse kishte filluar.
Në fillim të vitit 1998, sulmet e UÇK-së kundrejt autoriteteve jugosllave në Kosovë rezultuan me një prani të shtuar të paraushtarakëve dhe forcave të rregullta serbe, të cilët më pas filluan të ndjekin një fushatë hakmarrjeje që shënjestronte përkrahësit e UÇK–së.
Si rezultat, forcat serbe vranë 1500 deri në 2000 civilë dhe luftëtarë të UÇK-së, si dhe detyruan shpërnguljen e më shumë se 370,000 shqiptarëve të Kosovës deri në mars 1999.
Ata po ashtu kryen masakra të shumta ndaj civilëve e cila kulmoi me masakrën e Reçakut, ku u gjetën 45 trupa civilë të masakruar, ngjarje kjo që u filmua dhe e tronditi botën.
Ish-shefi i misionit OSBE në Kosovë, William Walker nga vendi i ngjarjes i cilësoi masakrat si krim kundër njerëzimit.
Përpjekjet diplomatike po vazhdonin për ta ndaluar dhunën e shtetit serb mbi popullin e Kosovës.
Presidentit të atëhershëm serb Slobodan Millosheviqit ishin bërë disa propozime, mirëpo asnjë prej tyre nuk rezultoi e suksesshme.
Pas refuzimit për nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë nga pala serbe, më 24 mars 1999, NATO nisi një fushatë ajrore bombardimi kundër forcave serbe e cila zgjati 78 ditë.
Lufta përfundoi me Traktatin e Kumanovës, të nënshkruar më 9 qershor, nga forcat jugosllave dhe serbe që ranë dakord të tërhiqeshin nga Kosova për t’i hapur rrugë një pranie ndërkombëtare.
Forcat e NATO-s hynë në Kosovë më 12 qershor.
Më 24 mars, në ditën kur po fillonin bombardimet e NATO-s kundër Serbisë, presidenti amerikan, Bill Clinton përmes një videoje iu drejtua popullit amerikan ku tregoi arsyet pse shteti të cilin ai e drejton po i bashkohet fushatës ajrore të NATO-s.
“Bashkëkohësit e mi amerikanë, sot forcat tona të armatosura u bashkuan me aleatët tanë të NATO-s në sulme ajrore kundër forcave serbe përgjegjëse për brutalitetin në Kosovë. Ne kemi vepruar me vendosmëri për disa arsye”.
“Ne veprojmë për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga një ofensivë ushtarake në rritje. Ne veprojmë për të parandaluar një luftë më të gjerë të shpërndahet në zemër të Evropës, e cila ka shpërthyer dy herë më parë në këtë shekull me rezultate katastrofike. Ne veprojmë të qëndrojmë të bashkuar me aleatët tanë për paqe. Duke vepruar tani, po i mbajmë vlerat tona, duke mbrojtur interesat tona dhe duke avancuar shkakun e paqes”.
Ai po ashtu, tregon se pse ndjehet përgjegjës për të intervenuar ushtarakisht në Kosovë.
“Unë kam një përgjegjësi si president për t’u marrë me probleme të tilla si kjo para se të bëjnë dëm të përhershëm për interesat tona kombëtare. Amerika ka një përgjegjësi të qëndrojë me aleatët tanë kur ata përpiqen të shpëtojnë jetërat e pafajshme dhe të ruajnë paqen, lirinë dhe stabilitetin në Evropë. Kjo është ajo që po bëjmë në Kosovë”.
Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008 dhe si rezultat i kontributit të Bill Clinton për çlirimin e Kosovës, është ngritur shtatorja e tij në hyrje të Prishtinës.
Diskutime rreth kësaj post