Më 17 korrik, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov njoftoi se Rusia do të pezullojë Nismën e Drithërave të Detit të Zi derisa të plotësohen kërkesat e Moskës për të siguruar eksportin e ushqimeve dhe plehrave të saj kimike nëpër botë.
Ndërsa Peskov pretendoi se nuk kishte ndonjë lidhje, menjëherë pas kësaj deklarate pasoi një sulm i ukrainasve mbi një urë të Krimesë, një linjë jetike furnizimi për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Që ga ajo kohë Rusia është hakmarrë, duke sulmuar eksportet ukrainase të grurit dhe duke goditur portin kryesor në brendësi të Ukrainës përtej lumit Danub.
Si rezultat i pezullimit të marrëveshjes dhe i përshkallëzimit të veprimeve nga Rusia, miliona njerëz të cënueshëm që varen nga rrugët e furnizimit të Detit të Zi, veçanërisht në Jugun Global, mund të përballen me urinë.
Pas dy ditë takimesh dhe negociatash në datat 27-28 korrik, disa liderë afrikanë u larguan nga Samiti Rusi-Afrikë në Shën Petersburg, Rusi, pa garanci për rihapjen e linjave të furnizimit të Detit të Zi.
“Ne mbetemi të përkushtuar të ndihmojmë partnerët tanë afrikanë në çdo mënyrë të mundshme që të forcojnë sovranitetin e tyre kombëtar dhe kulturor, për të luajtur një rol më aktiv në zgjidhjen e sfidave rajonale dhe globale”- tha Vladimir Putin para samitit. Megjithatë, ndërsa Putin i premtoi Burkina Fasos, Zimbabves, Malit, Somalisë, Eritresë dhe Republikës së Afrikës Qendrore 25.000-50.000 tonë drithë rus falas 3-4 muajt e ardhshëm, kjo sasi është e papërfillshme në krahasim me 725.000 tonë drithë të dërguar nga Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së sipas Marrëveshjes së Drithit.
Që nga korriku 2022, Nisma për Drithërat e Detit të Zi, e ndërmjetësuar fillimisht nga OKB-ja dhe Turqia, ka garantuar eksportin nga Deti i Zi të 32.9 milionë ton drithë. Këto eksporte përfshijnë kryesisht misrin, grurin, miellin dhe vajin e lulediellit, elbin dhe farat e rapit. Britania e Madhe pretendon se 61 për qind e këtyre eksporteve shkuan tek vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, pasi çmimi i drithit u stabilizua në 800 dollarë për ton, nga niveli më i lartë prej 1.360 dollarësh. Rusia ka pohuar se pjesa më e madhe e grurit të eksportuar përmes marrëveshjes nuk po arrinte në vendet me të ardhura më të ulëta.
Megjithatë, destinacionet e eksportit nuk kanë qenë asnjëherë pjesë e marrëveshjes.
Kina dhe Turqia ruajnë një sasi të mjaftueshme mekanizmash ndikues në lehtësimin e zbatimit të nismës që deri tani ka rezultuar e suksesshme. Që nga fillimi i Luftës Rusi-Ukrainë, mbështetja e Rusisë nga Ankaraja dhe Pekini si partnerë tregtarë është rritur në një mënyrë eksponenciale pasi ato refuzojnë t’i bashkohen sanksioneve perëndimore ndaj Moskës.
Në kushtet kur Kina është përfituesja kryesore e nismës, Perëndimi shpreson që Pekini do të bëjë presion ndaj Moskës që të ri-hyjë në marrëveshjen e drithit. Pekini e ka theksuar në të kaluarën rëndësinë e vazhdimit të marrëveshjes së grurit, madje duke e përfshirë atë në planin e tij të paqes.
Refuzimi për të rihyrë në marrëveshje mund të sjellë pasoja në marrëdhëniet midis Rusisë dhe Kinës. Nga ana tjetër Ankaraja, ka ofruar një “kamerdare shpëtimi jetike”ndaj Moskës gjatë gjithë konfliktit, teksa vëllimet e tregtisë së ndërsjelltë u rritën me rreth 93 për qind. Kremlini ka pranuar se Ankaraja është një qendër thelbësore logjistike dhe “një nga vendet e pakta që mban një dialog të nivelit të lartë” me Rusinë.
Ndërsa udhëheqësit afrikanë nuk kishin fuqinë e duhur për të ndikuar ndjeshëm në qëndrimin e Moskës për marrëveshjen e drithi, vizita e pritshme e Putin në Turqi dhe takimi me homologun Recep Tayyip Erdogan do të jetë një mundësi që ky i fundit ta vërë theksin tek rëndësia e ruajtjes së marrëveshjes së drithit.
Ai ka propozuar tashmë një zgjatje 3-mujore të marrëveshjes. A kanë Shtetet e Bashkuara një rol për të luajtur në lehtësimin e ripërtëritjes së Nismës së Drithit të Detit të Zi? Për Uashingtonin do të jetë me shumë rëndësi të dekurajojë ushtrinë ukrainase nga goditja e objektivave në Gadishullin e Krimesë.
Ndërsa 64 për qind e ukrainasve duan që Kievi të rimarrë të gjithë territorin e pushtuar, përfshirë Krimenë, gadishulli është njohur prej kohësh si një “vijë e kuqe” për Moskën. Sipas Ministrit rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu, hakmarrja nga Rusia mund të përfshijë futjen në konflikt të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Deklaratat e zyrtarëve ukrainas se Krimea do të “çlirohet”, dhe sulmet e menjëhershme dhe jo-strategjike kundër objektivave në gadishull, kanë rrezikuar pa pasur nevojë marrëveshjen e drithit.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara nuk kanë investuar shumë kapital diplomatik në ruajtjen e Nismës së Drithërave të Detit të Zi, ato duhet të inkurajojnë Turqinë që të vazhdojë rolin e saj udhëheqës në nxitjen e Rusisë për të vazhduar marrëveshjen. Puna e përbashkët me Ankaranë dhe Kievin do të jetë shumë e rëndësishme për krijimin e kushteve që lehtësojnë një zgjatje realiste të marrëveshjes në fjalë.
Në negociatat e ardhshme me Moskën, Perëndimi duhet ta bëjë të qartë se Rusia do të vazhdojë të ndikohet negativisht nga veprimet e saj. Mungesa e anijeve në Rusi dhe dëshira e zvogëluar e tregtarëve perëndimorë për biznes me Moskën, po kontribuojnë në rritjen e kostove të lëvizjes së grurit rus.
Ndërkaq, rritja e çmimeve e ka detyruar Rusinë të përdorë anije më të vjetra dhe më të vogla, gjë që dëmton efikasitetin. Së fundmi, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet gjithashtu të devijojnë energjinë nga investimi në alternativa të shtrenjta tokësore ndaj rrugëve të Detit të Zi.
Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, sugjeroi që Shtetet e Bashkuara të punojnë me aleatët e saj të BE-së dhe partnerët e tjerë për të gjetur mënyra të reja për të eksportuar të korrat e Ukrainës. Megjithatë, këto rrugë janë të kushtueshme dhe joefikase dhe do të rrisin përfshirjen e Perëndimit në konflikt.
Në vend të kësaj, Perëndimi ka një opsion më kosto më efektive nëpërmjet punës diplomatike me Ankaranë për të shfrytëzuar ndikimin e saj. Fati i Nismës së Drithit të Detit të Zi mbështetet kryesisht në veprimet e Kinës dhe Turqisë. Kina dhe Turqia do të veprojnë brenda interesave të tyre për të rigjallëruar marrëveshjen e drithit.
Megjithatë, Perëndimi mund të bëjë pjesën e tij duke e dekurajuar sjelljen e pamatur të Ukrainës, duke investuar kapital diplomatik tek kjo marrëveshje dhe duke shmangur projektet e kushtueshme dhe joefikase.
Nga Alex Little “National Interest”
Diskutime rreth kësaj post