Sezoni turistik po shënon momentalisht pikun e vizitave nga turistët e huaj. Aeroporti “Nënë Tereza” dhe Porti i Durrësit nuk “flenë” që nga qershori, pasi vizitorë nga e gjithë bota kanë mbushur këtë vit më shumë se kurrë sportelet e tyre.
Nisur nga prurjet e kënaqshme të këtij sezoni turistik dhe shifrat e turistëve të huaj që po vizitojnë vendin tonë këtë verë, Edi Rama ka krahasuar Shqipërinë e këtyre ditëve me Italinë e viteve ’50. Pasi postoi një foto në llogarinë e tij në Facebook, ku krahason emigrantët shqiptarë të vitit 1991 të cilët dyndeshin drejt portit për të arritur në Itali, me emigrantët italianë të cilët vizitojnë Shqipërinë, kryeministri Edi Rama ka rrëfyer për median italiane “La Stampa”, prurjet e turizmit të këtij viti dhe shifrat mbresëlënëse të turistëve italianë. “Po, ne jemi pak si Italia e viteve 1950. Pas tridhjetë vjetësh, ne kemi hequr stigmën e emigrantit dhe kaq. Por Shqipëria po përpiqet të mësojë nga gabimet tuaja”, deklaroi ai. Më tej Rama shpjegoi fenomenin “Maldivet e Mesdheut”, term i përdorur në mënyre frekuente për të përshkruar Shqipërinë, duke thënë se kjo verë ka qenë përtej pritshmërive.
“Ne po ecim në gjurmët që ka përshkuar vendi juaj dhe kjo verë ka qenë përtej pritshmërive. Kemi pasur një rritje prej 35% të turistëve, shifrat e italianëve janë mbresëlënëse dhe janë afër gjysmë milioni”, u shpreh ai. Teksa tregoi se sot, në Shqipëri turistët e huaj vijnë dhe përzihen me dëshirë me shqiptarët, duke ndryshuar kështu qasjen për shqiptarët, në dallim nga e kaluara që paragjykoheshin si “kriminelë, mafioz, emigrantë të varfër. “Duhet të kompensojmë kohën e humbur. Por nuk duam të bëjmë gabimet e mëdha të Italisë apo vendeve të tjera, të brigjeve apo të qyteteve të pushtuara. Mbërritjet masive dhe kostot e ulëta mund të shkatërrojnë të ardhmen dhe të lënë pas eko-përbindësha dhe katastrofa mjedisore”, theksoi kryeministri. Rama shprehet se Shqipëria ka barazuar Greqinë dhe sapo ka kaluar Italinë për numrin e turistëve për frymë. “E pabesueshme, por ne kemi punuar shumë për të në këto vite të Rilindjes Shqiptare. Duke parë përpara, ne duam turizëm të balancuar dhe gjithnjë e më të nivelit të lartë. Duhen tre apo katër vjet për të qenë gati për të parakaluar me të mëdhenjtë”, tha ai. Ndërkohë i pyetur për marrëdhëniet dhe afrimitetin e dëshmuar me homologen italiane Giorgia Meloni, kryeministri shqiptar u shpreh se ajo “është një surprizë e madhe për klubin euroatlantik dhe motër e vogël për Shqipërinë. “Unë e admiroj Georgia Melonin. Ajo është motra e vogël e Shqipërisë dhe unë jam një vëlla i vjetër i Italisë dhe e kemi njohur njëri-tjetrin si të tillë në Tiranë, ku jemi përqafuar dhe kemi folur me njëri-tjetrin. Giorgia jo për mua, por për klubin euroatlantik është një surprizë e madhe. Në të gjitha rrethanat ndërkombëtare ajo shihet me respekt të prekshëm, ka karizëm dhe thotë të gjitha gjërat e duhura. Jam 198 cm i gjatë, por kur flet duket më e gjatë se unë”, nënvizoi Rama.
Diskutime rreth kësaj post