Pas një rënie, këtë të enjte euro ka fituar sërish pikë. Sipas Bankës së Shqipërisë po këmbehet mesatarisht me 103.78 lekë. Nëse shpejtësia e forcimi të lekut do të kthehet në faktor rreziku për inflacionin, Banka e Shqipërisë do ndërhyjë në tregun valutor.
Këshilli Mbikëqyrës i ka rezervuar këtë të drejtë Bankës Qendrore marrë parasysh edhe forcimin e shpejtë që pësoi kursi i këmbimit në muajt qershor dhe korrik. Megjithatë në raportin e fundit tremujor të politikës monetare, Banka e Shqipërisë vlerëson se falë kursit të këmbimit Shqipëria ka mbajtur një nivel të ulët inflacioni.
“Forcimi i kursit të këmbimit ka qenë faktori kryesor në nivelet e ulëta të inflacionit në vend, nivele të cilat kanë qenë dhe mbeten më të ulëtat në rajon. Vlerësimet tona sugjerojnë se, në mungesë të forcimit të kursit gjatë dy viteve të fundit, norma e inflacionit do të ishte 2.5 p.p më e lartë.”
Banka e Shqipërisë parashikon se inflacioni do mbajë trendin rënës, për t’u kthyer në objektivin prej 3% në mesin e vitit të ardhshëm.
“Ne parashikojmë që ekonomia të vazhdojë të rritet edhe gjatë vitit 2023, 2024 dhe më tutje, e mbështetur nga zgjerimi i konsumit, sektorit privat si dhe rritja e të ardhurave nga turizmi.”
Megjithatë për vitin 2023 ekonomia pritet të rritet me ritme më të ngadalta se në vitin 2022, afër nivelit 3.5%.
Diskutime rreth kësaj post