Policia e Shtetit ka sekuestruar 106 shezlongë që ishin vendosur në hapësirat publike në plazh.
Mësohet se në plazhet e Durrësit dhe Sarandës janë sekuestruar në total 106 shezlongë dhe 123 çadra të cilat ishin vendosur pa autorizim.
Sakaq janë proceduar penalisht dy shtetasit me iniciale M. M., 31 vjeç dhe J. Ç., 24 vjeç për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Njoftim:
“Vijon operacioni policor i koduar “Plazh i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave në plazhe, që janë zënë në kundërshtim me ligjin.
Kjo fazë e operacionit u shtri në plazhet e Durrësit dhe të Sarandës, dhe rezultoi me sekuestrimin e 106 shezlongëve dhe 123 çadrave që ishin vënë pa autorizim. Procedohen penalisht 2 administratorët që nuk deklaronin të ardhurat që gjeneronin nga ky aktivitet. Në plazhin “Apollonia”, në Durrës, u sekuestruan 106 shezlongë dhe 53 çadra që ishin vënë pa autorizim. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. M., 31 vjeç, banues në Durrës. Në plazhin e Çentralit, në Sarandë, u sekuestruan 70 çadra që ishin vënë pa autorizim. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin J. Ç., 24 vjeç , banues në Sarandë. Materialet procedurale i kaluan prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Kontrollet dhe verifikimet në kuadër të operacionit “Plazh i lirë”, vijojnë.”-thuhet ne njoftim.
Diskutime rreth kësaj post