Ministri i Jashtëm i Greqisë, Georgos Gerapetritis, në një intervistë për kanalin shtetëror ERT është ndalur gjatë në të gjitha çështjet aktuale të diplomacisë greke, duke i dhënë një rëndësi të veçantë çështjes Beleri.
Konkretisht ministri i Jashtëm grek ka konsideruar qëndrimin e palës shqiptare si “një autogol” duke përdorur shprehjen tradicionale greke “mesa duket Shqipëria po qëllon këmbët e veta”.
G.Gerapetritis në deklaratën e tij u referua në trajtimin e çështjes nga qeveria greke duke mbështetur edhe njëherë qëndrimin se “paraburgosja e Belerit është e paligjshme dhe cënon shtetin e së drejtës. ”.
Theksoi se qeveria greke ka ndërmarrë një sërë nismash jo vetëm për lirimin, por edhe për betimin në postin e kryebashkiakut, duke theksuar se këto çojnë në përshkallëzim të situatës dhe rritje tensioni.
“Me mënyrën se si vepron pala shqiptare, me siguri po qëllon veten në këmbë (bën autogol)”, vuri në dukje G. Gerapetritis, duke paralajmëruar se nëse Fredi Beleri shkarkohet nga posti, atëherë do të drejtohemi në një përkeqësim serioz të marrëdhënieve greko-shqiptare.
Ministri i Jashtëm grek theksoi prerë se nuk ka shans të vijojë procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE me një shkelje të tillë të shtetit të së drejtës dhe prezumimit të pafajësisë së Fredi Belerit.
Së fundi, ministri grek ka shtuar se mënyra e trajtimit të çështjes nga pala shqiptare përbën një pengesë serioze në rrugën e integrimit të Shqipërisë drejt familjes europiane dhe se tensioni i krijuar nuk është aspak i dobishëm për vendin fqinj.
Diskutime rreth kësaj post