Një tjetër koncert, që shënoi një tjetër histori suksesi, për të cilën Noizy sot duhet të ndjehet shumë krenar. E kish premtuar se do të rikthehej me “Alpha Show”, në përmasa edhe më të mëdha se ai i një vere më parë dhe e realizoi 100% atë.
Në skenën gjigande, të konceptuar si një qytet magjik “Alpha City”, efektet vizuale, dritat, fishekzjarret e ndiznin edhe më fort atmosferën që sillte çdo artist i ftuar në këtë natë të madhe, që do të ishte epilogu i duhur i përmbylljes së koncerteve të shumta, që e kanë zhurmuar bukur Tiranën e kësaj vere.
Dhe s’ishin të paktë këngëtarët më në zë të tregut muzikor mbarë shqiptarë, që Noizy i mblodhi edhe një herë në koncertin e tij.
Ndërsa Stine, Westside family, Elgit Doda, Buta, Era Istrefi, Ledri Vula, Varrosi, MC Kresha, Ylli Limani etj, i linin radhën njëri- tjetrit në një maratonë muzikore shumë të larmishme rrymash e ritmesh, masa e madhe e njerëzve filluan të ndjenin ardhjen e momentit kulminat: hyrjen e Noizyt në skenë.
Pritja u ndez edhe më fort nga fikja e dritave në skenë. Kurioziteti u shtua edhe më shumë kur nisi të dëgjohej tingulli i parë i intros.
Emocioni i përshkroi në të qind të sekondit të gjithë kur njerëzit kuptuan se ai tingull i përkiste këngës “Noku i vogël” të cilën Noizy ia ka kushtuar vajzës së tij.
Pastaj adrenalina u ngrit në maksimum kur sheshi nisi të oshtijë i tëri me “Jena mbretër 2”.
Që prej atij momenti e deri në sekondin e fundit të atij koncerti, pa ndalim, njerëzit kënduar njëzëri me Noizyn “Në fund të botës”, “Kontroll”, “I lumtur”, “Jeta sjell”, “Fatos Nano”…pastaj edhe duetet që i përkasin gjithashtu albumit “Alpha”, “Tingujt e kitarës” me Stine, “My All” me Elvana Gjatën, “Kallma” me Dhurata Dorën”, “Yalla” me Ylli Limanin e “Medalionin” me Stresin… pastaj dhe gjithë repertorin që do të vinte më pas aq sa 16 Bars, Noizy s’do të kishte nevojë ta këndonte fare, sepse pas Varrosit dhe MC Kreshës, pjesa e tij “O sa bukur pa shikoje toplisten… thellë në det thirrëm kapiten” u këndua nga kori magjik.
Dukej si sureale por në fakt ishte e vërtetë e gjithë kjo gjendje, të cilën ai po e shijonte nga lart, pasi ishte ngjitur në një tjetër platformë të lartë, ndërtuar përballë skenës së madhe, mu në mes të sheshit, për të qenë më afër njerëzve që mbrëmë duhet ta kenë ndjerë veten OTR sidomos kur Noizy do të bënte mbylljen me hitin e tij të çdo kohe: “OTR me zemër”, për t’ia lënë pastaj vendin falënderimeve me zemër, pikërisht për ata që ishin aty, bashkë me të, si pjesë shumë e rëndësishme e gjithë karrierës muzikore e si dëshmitarë të suksesit të tij të madh të radhës.
Të cilin premtoi se do ta risjellë përsëri, edhe vitin që vjen.
Askush, asnjëherë s’ka dyshuar në fuqitë artistike që Noizy ka.
Dy edicionet e “Alpha Show” janë tashmë thjesht vula e pakontestueshme e artistit që di të thyej veç rekorde.
Diskutime rreth kësaj post