Zhvlerësimi i euros gjatë sezonit turistik është një fenomen që përsëritet rëndom, jo vetëm se kthehen emigrantët, por edhe nga turistët e huaj që këtë vit janë shtuar ndjeshëm në vendin tonë. Por ndryshe nga sezonet e tjera, këtë vit euro ra pikiatë, përtej kufirit me të cilin jemi mësuar në luhatjet e kursit të këmbimit. Nëse një euro në Janar të këtij viti këmbehej me afërsisht 114 lekë, në fund të Korrikut vlera e saj ra në më pak se 100 lekë.
Ky ndryshim i fortë ka futur në një përplasje Bankën e Shqipërisë me eksportuesit shqiptarë, që pësojnë humbje kolosale nga paqëndrueshmëria e kursit të këmbimit. Disa ditë më parë, eksportuesit dolën në konferencë dhe kërkuan që Banka e Shqipërisë të ndërhyjë. “Nuk ka asnjë shpjegim e arsyetim zyrtar nga Banka e Shqipërisë, se pse mbiçmimi i lekut është rrjedhojë logjike e zhvillimit ekonomik të vendit – çka do të thotë që bizneset eksportuese të parat, por edhe të gjitha bizneset e madje edhe qytetarët, efektivisht ushtrojnë aktivitet ekonomik e financiar në ambient të pasigurtë!”– thanë eksportuesit.
Në ankesën e tyre ata përmendën humbjet që kishin pësuar dhe kërkuan një ndërhyrje të menjëhershme të institucioneve. Kërkesës iu përgjigj Guvernatori Gent Sejko në një konferencë për mediat. Nga qëndrimi që mbajti, Sejko nuk dukej se ndante të njëjtin shqetësim me eksportuesit. Ai u tha tregtarëve se “mbetemi të vëmendshëm ndaj shpejtësisë së forcimit dhe luhatjes së kursit gjatë muajve të fundit”.
Më pas shpjegoi se shkaqet e zhvlerësimit të euros i shihte tek 1) remitancat, 2) turizmi dhe 3) investimet e huaja. “Ne jemi në pikun e sezonit dhe historikisht është vënë re një lëvizje e tillë. Pra këto tregojnë se kemi një forcim të kusit të këmbimit”, përfundoi Guvernatori i Bankës së Shqipërisë duke siguruar se do ta mbante nën monitorim situatën.
Fakti që Banka e Shqipërisë nuk do të ndërhyjë në treg thjesht paralajmëron të tjera humbje për eksportuesit. Të lënë në baltë nga Banka e Shqipërisë, këtë të enjte ata i kanë dërguar një letër drejtuesve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe Bankës Europiane për Zhvillim me shpresë se mund të gjejnë një zgjidhje nga ndërkombëtarët.
Komiteti i Eksportuesve thotë se përfaqësojnë më shumë se 5 mijë kompani ekportuese, mbi 200 mijë të punësuar dhe se kanë një kontribut afro 23% në PBB. Në mesazhin e tyre ata sqarojnë për të huajt se forcimi i lekut shqiptar nuk vjen se në ekonominë shqiptare ka më shumë produktivitet, as se ka më shumë konkurencë, as se ka më shumë investime të huaja apo më shumë të ardhura nga emigrantët.
“Luhatjet e mëdha dhe të përkohshme që dëmtojnë rëndë eksportuesit dhe turizmin duket se ndikohen edhe nga paratë informale apo kriminale në ekonominë shqiptare, kryesisht në pasurinë e paluajtshme dhe bizneset fitimprurëse” shkruajnë tregtarët.
Qarkullimi i parasë informale mund të jetë një shqetësim për tregtarët, por deri tani nuk i ka shqetësuar asnjëherë institucionet shqiptare. Edhe kur euro ra pikiatë gjatë fushatës për zgjedhjet lokale në 14 Maj, lëvizj justifikohej nga Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj me të njëjtat argumenta që sjell në Gusht guvernatori Gent Sejko.
“Flukset hyrëse kanë qenë në rritje nga turizmi, remitancat dhe investimet e huaja”, shprehej Ibrahimaj në Prill të këtij viti. Në fakt, atëherë sezoni turistik ende nuk kishte nisur. Më shumë se turistët e Prillit, efektin e zhvlerësimit të euros e kryente lëvizja e parave për blerjen e votave.
Lufta ndaj pastrimit të parave të krimit nuk ka qenë ndonjëherë prioritet i qeverisë shqiptare. Përkundrazi kryeministri Rama ka gati një draft për amnistinë fiskale deri në 2 milion euro për çdo emigrant dhe çdo të huaj që dëshiron t’i sjellë paratë e tij në Shqipëri. Drafti nuk është miratuar, sepse është kundërshtuar me forcë nga ambasada e SHBA dha ambasadorët e Gjermanisë dhe të Francës, të cilët i druhen faktit se Shqipëria mund të kthehet në një strehë e sigurt e parave që fitohen nga krimi në Europë. Luhatjet e euros dhe të lekut në këto muaj tregojnë se janë të gjitha premisat për t’u realizuar një skenar i tillë./Lapsi.al
Diskutime rreth kësaj post