Në më pak se një javë karburantet në Shqipëri kanë pësuar një rritje të ndjeshme. Rritjen më të madhe e ka pësuar nafta, e cila tashmë shitet me 9 lekë më shumë për litër. Këtë fillim jave një litër naftë po tregtohet me 185 lekë nga 176 që tregtohej një javë më parë, çmim që qëndroi i pandryshuar që kur bordi i transparencës u shfuqizua me 7 Qershor.
Me ritme të shpejta është shtrenjtuar dhe benzina. Një litër tashmë tregtohet me 188 lekë, nga 182 që ishte më parë, ndërsa para se të fillonte shtrenjtimi, kishte zbritur në 179 lekë për litër. Në disa pika karburantesh me pakicë, nafta dhe benzina mund të tregtohet dhe një apo 3 lekë më pak se këto çmime.
Sipas shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve rritja e çmimeve vjen si rezultat i shtrenjtimit të karburanteve në bursa. Nafta e papërpunuar sipas bursës së Londrës shitet 85.63 dollarë për fuçi, ndërsa ajo amerikane me 81.42 dollarë për fuçi.
Por këto çmime të arit të zi të papërpunuar, të reflektuara në bursat ndërkombëtare këtë të hënë është për kontratat e shtatorit. Gazi i lëngshëm për automjetet po tregtohet mesatarisht nga 54 në 58 lekë për litër.
Diskutime rreth kësaj post