Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka dhënë urdhër që të shpërblehen financiarisht policët e përfshirë në këtë aksionin për arrestimin e 55-vjeçarit Gjegji Mullalli që vrau gruan e tij në Maliq.
Balla ka shkuar sot në Maliq dhe ka zhvilluar një takim me policët, ku i ka falenderuar për punën e bërë në kushtet kur u është kërcënuar edhe jeta, pasi 55-vjeçari hapi zjarr ndaj efektivëve, më pas u vetëvra.
Reagimi:
“Falenderoj nga zemra forcat e Policisë së Shtetit të Drejtorisë Vendore Korçë për kryerjen e detyrës gjatë gjithë natës së mbrëmshme deri sot në mëngjes në Maliq edhe në kushtet e kërcënimit për jetën. Dua t’ju siguroj se do të bëj gjithçka që ju të ndjeheni gjithnjë e më të respektuar, gjithnjë e më të vlerësuar, gjithnjë e më të shpërblyer për atë që beni për këtë vend! Dua t’i percjell një përqafim vëllazëror prindërve tuaj, bashkëshorteve, fëmijëve tuaj, motrave e vëllezërve tuaj, të cilët janë mbështetja juaj më e madhe, po janë edhe ata që më shumë se sa askush e përjetojnë peshën e uniformës suaj, për të cilën ju jeni gati të vini në rrezik edhe vetë jetën tuaj! Kjo është një ditë për t’i kujtuar edhe kolegët tuaj që nuk jetojnë më, pikërisht sepse dhanë jetën në krye të detyrës, e për të përsëritur angazhimin e Kryeministrit Edi Rama për të mbështetur familjet e fëmijët e tyre deri në fund, jo vetëm falë statusit të tyre të Fëmijëve të Republikës, po edhe në çdo hap të rrugës së tyre, ku vërtetë boshllëkun e babait nuk e zevendson dot askush dhe asgjë, po ku ata nuk do të jenë kurrë vetëm”, shkruan Balla.
Diskutime rreth kësaj post