Prokuroria e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj një shtetasi, i cili ka kërcënuar me jetë deputeten e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi.
Ka qenë vetë ligjvënësja e parlamentit të Kosovës, ajo e cila ka bërë kallëzimin pranë organeve ligjzbatuese pas kërcënimeve të marra në rrjete sociale.
Në dosjen e prokurorisë, thuhet se shtetasi në fjalë, më 2 maj të këtij viti rreth orës 19:00, përmes rrjetit social “Facebook”, ka kërcënuar me jetë deputeten Musliu-Shoshi.
Në mesazhin e dërguar deputetes, kërcënuesi, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije, i thotë: “Sa të vijë me pushime… edhe dy muj i ke jetë midis Prishtinës kam me të masakrue…”.
“Me këtë rast tek e dëmtuara është shfaqur ndjenja e frikës, ankthit dhe e pasigurisë për jetën, andaj me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale të kanosjes”, thuhet në dosjen e prokurorisë.
Prokurori i Shtetit i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit t’i caktohet masa e paraburgimit, “Arrest me burg” dhe të shpallet fajtor e të dënohet sipas legjislacionit të Kodit Penal.
Diskutime rreth kësaj post