Në përfundim të procesit të numërimit për zgjedhjet e përsëritura të 23 korrikut për bashkinë Rrogozhinë fitues u shpall sërish kandidati socialist Edison Memolla, i cili ka thelluar më tej rezultatin e kontestuar të 14 majit e që çoi në përsëritjen e zgjedhjeve vendore, pas kërkesës për anulim të tyre nga koalicioni Bashkë Fitojmë.
Në këto zgjedhje, përveç thellimit të rezultatit pati dhe një pjesëmarrje më të lartë në votime. Diferenca mes Edison Memollës dhe kandidatit të koalicionit Bashkë Fitojmë Shkëlqim Hoxha ishte 1752 vota. Fitorja u prit me entuziazëm në KZAZë-në 43 dhe jashtë saj.
Që në numërimin e kutive të para të njësive administrative Kryevidh dhe Lekaj u vu re përparësia e kandidatit socialist. Diferenca mes kandidatëve nisi të thellohet duke tronditur opozitën dhe me humbjen për herë të parë të disa zonave që konsideroheshin bastion për demokratët.
Në përfundim të numërimit Edison Memolla i PS siguroi 6658 vota ose 57, 6 për qind të votave, ndërsa Shkëlqim Hoxha i BF ka marrë 4906 vota ose 42,4 % të totalit të votave.
Pas shpalljes së rezultatit Edison Memolla falënderoi zgjedhësit e tij. Angazhimi në një fushatë derë më derë dhe ardhja e emigrantëve për pushime konsiderohet si një ndër faktorët që çuan në këtë rezultat dhe interesin e shtuar për pjesëmarrjen në këto zgjedhje që përsëritën, pasi rezultati i 14 Majit u shpall i pavlefshëm.
Shkak për përsëritjen e zgjedhjeve u bë kutia e burgut dhe diferenca mes dy kandidatëve që ishte vetëm 21 vota.
Diskutime rreth kësaj post