Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka reaguar lidhur me zjarret masive që kanë përfshirë Greqinë gjatë ditëve të fundit.
Lajmin e kanë bërë të ditur mediat greke, sipas të cilave, Mitsotakis ka thënë se Greqia është në luftë me zjarret.
Ai ka shtuar më tej se vendi do të dëmshpërblejë të dëmtuarit nga zjarret dhe do të rindërtojë gjithçka që është shkatërruar.
Komentet Mitsotakis i bëri në nisje të fjalës së tij në Kuvend, në kuadër të debatit për projektligjin për votën e grekëve jashtë vendit.
Konkretisht, Mitsotakis theksoi se përpjekja e shtetit për të luftuar me zjarret u njoh nga të gjithë, madje edhe nga turistët, mijëra prej të cilëve u shpëtuan në kuadër të evakuimeve që u bënë në vendbanime të tjera dhe njësi hoteliere.
“Megjithë avancimin e zjarrit, asnjë jetë nuk humbi. Por kundër tërbimit të natyrës, asnjë masë nuk do të mjaftojë kurrë. Kjo verë na gjen me vapë të pandërprerë, erëra të forta, në Rodos kemi erëra të vazhdueshme që kalojnë 6 Beaufort prej ditësh. Në Rodos pas ditës së dytë kur zjarri kishte shfaqur disa shenja pakësimi, zjarri bëri fronte të reja. Dhjetëra mijëra njerëz u transportuan në mënyrë të organizuar dhe në kohë rekord në vende të sigurta. I jemi mirënjohës zjarrfikësve, mbrojtjes civile, forcave të armatosura, policisë, vullnetarëve për ‘vetëflijimin’ e tyre. Për javët e ardhshme ne duhet të jemi në gatishmëri të vazhdueshme. Jemi në luftë me zjarrin ”, tha kryeministri Mitsotakis.
Diskutime rreth kësaj post