Vala e të nxehtit që tashmë ka pushtuar pjesën më të madhe të Europës, është prezente edhe në Shqipëri këtë javë, ndërkohë që në ditët në vijim temperaturat do të rriten më tej.
Sinoptikania Ladja Porja tha se kjo valë e nxehtësisë jo më kot quhet Cerberus, ndërsa theksoi se deri më tani në vendin tonë vendi që ka pasur temperaturat më të larta është Lazarati. Ajo shtoi se gjatë ditës së enjte, deri të premten, do të ketë temperatura edhe më të larta, ndërsa paralajmërohet se termometri mund të shkojë deri në 47 gradë.
“Kjo valë kot nuk është quajtur Cerberus, pasi është shënuar në Lazarat 42,4 gradë. Rreth të enjtes dhe të premtes mund të kemi deri në 43 në Berat. Kjo është cilësuar një ndër valët më të egra të të nxehtit. Sot dhe nesër janë dy ditët më të nxehta për Italinë, ku priten vlera deri në 47.”, tha Porja. Ndërkohë, mjekja kardiologë, Engjellushe Hasani, tha se pacientët me diagnozë duhet të kenë kujdes dhe të shmangin pikun, madje të konsumojnë sa më shumë ujë.
“Ka disa pacientë që do të kenë ditë të vështira. Ata duke qëndruar në orë të gjata në diell, mund të pësojnë atak kardiak nëse bien në kontakt me ujin. Por ka dhe nga ata persona që janë me tension. Ka dhe persona që e pësojnë keq me dehidratimin, ndaj mund të ndodhin dhe ngjarje kardiake. Pacientët duhet të marrin lëngje edhe kur nuk kanë etje, si ujë, apo të ziejnë fruta, jo me gaz, dhe jo lëngje të konservuara. Për këto rekomandohet që të bëjnë një konsultë dhe me kardiologun.”, tha Hasani.
Ekspertja e ISHP-së, Dorina Toçi, tha se përveç të sëmurëve, të rrezikuar nga vapa janë edhe fëmijët dhe gratë shtatzëna.
“Nga vapa janë të prekur të gjithë, por më të prekurit janë ata persona me sëmundje kardio-vaskulare, apo dhe ata me diabet. Po ashtu, kategori e rrezikuar janë foshnjat dhe të vegjlit, apo dhe shtatzënat.”, tha Toçi.
Ndërkohë, Porja tha se; “Orët e pikut, janë shtuar. Duke nisur nga ora 11 deri në orën 16:00, nuk duhet të ekspozoheni nga dielli.”.
Diskutime rreth kësaj post