Komisionari i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheyli, ka thënë të hënën se ka folur me kryeministrat e pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor për përkushtimin e BE-së drejt zbatimit të shpejtë të strategjisë për zhvillim të sektorit të ekonomisë në rajon.
Ata kanë biseduar në kuadër të një takimi joformal të udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtur në Tiranë.
Takimi është organizuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në kuadër të përgatitjeve për samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në kryeqytetin shqiptar, më 16 tetor.
Pjesë e takimit kanë qenë: kryeministri i Malit të Zi me mandat teknik, Dritan Abazoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjës, Borjana Kristo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka marrë pjesë në takim.
Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili tha se kryeministri ka angazhime tjera në Greqi.
“Kryeministri Kurti e ka njoftuar Kryeministrin Rama që nuk do të mund të shkojë kësaj radhe meqë muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë e ku paneli për Ballkanin Perëndimor është saktësisht në ditën e njëjtë e në kohën e njëjtë”, ka shkruar ai në Facebook.
“Natyrisht Kryeministri Kurti do të marrë pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që do të mbahet në Tiranë, data e të cilit dihet: 16 tetor 2023”, tha Kryeziu.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, vendi i të cilit sivjet kryeson Procesin e Berlinit, ka paralajmëruar takimin joformal gjatë turneut të tij nëpër shtetet e Ballkanit Perëndimor, pak ditë më parë.
Ky takim është thënë se ka për qëllim diskutimin dhe koordinimin, për të hartuar kërkesa të përbashkëta, për t’i paraqitur në samitin e tetorit, ku pritet të marrin pjesë udhëheqës të vendeve të Bashkimit Evropian.
Procesi i Berlinit
Procesi i Berlinit u vendos në vitin 2014 me iniciativën e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, me qëllim të lidhjes dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor përpara se të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.
Procesi i Berlinit shërben si një platformë për bashkëpunimin e nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve zyrtarë të nivelit të lartë të së ashtuquajturës Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, e cila përbëhet nga Shqipëria, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Procesi përfshin edhe institucionet e BE-së, institucionet financiare ndërkombëtare dhe shoqërinë civile në rajon.
Samiti i nëntorit në Berlin përfaqëson, gjithashtu, ringjalljen e procesit, që kur kancelari Olaf Scholz drejton Qeverinë në Berlin. Sipas njoftimit, samiti i ardhshëm do të organizohet në kryeqytetin shqiptar, Tiranë.
Një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, i propozuar nga kryeministri i Shqipërisë, si dhe anulimi i mbledhjes së përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, që ishte parashikuar të mbahej më 14 qershor, i ka përçarë raportet mes Ramës dhe Kurtit, të cilët kanë preferuar të argumentojnë me njëri-tjetrin nga distanca, përmes deklaratave.
Mospajtimet mes dy udhëheqësve kulmuan më 6 korrik, kur Kurti refuzoi të takonte Ramën, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Prishtinë. Rama u prit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Në këtë mbledhje do të jenë të gjithë kryeministrat e vendeve të tjera të rajonit, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq; kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski; kryetarja e Këshillit të Ministrave të Republikës së Bosnje dhe Hercegovinës, Borjana Kristo; si dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.
Diskutime rreth kësaj post