Teksa ditën e sotme në Kuvend u miratua kërkesa e SPAK për t’i hapur rrugë arrestimit të Arben Ahmetajt, Edi Rama ka deklaruar se ish-ministri ka qenë një nga bëshkëpunëtorët e tij me të cilin ka biseduar më shumë. Por, Rama tha se Prokuroria u vuri përpara një dosje voluminoze lidhur me hetimet që kishin kryer për Ahmetajn dhe për këtë fakt u votua pro heqjes së imunitetit. Rama shtoi se me këtë deklaratë mbyllet çdo koment për rastin e Ahmetajt dhe tashmë është në dorë të drejtësisë të provojë nëse ish-ministri është fajtor apo jo.
“Arben Ahmetaj nuk është as një njeri i panjohur dhe as një bashkëpunëtor i largët për mua. Ai është një ndër bashkëpunëtorët me të cilët jam takuar më shumë, kam komunikuar më shumë në telefon, kam diskutuar më shumë për shumë nga vendimmarrjet tona gjatë këtyre viteve.
Nuk më takon mua të them nëse Arben Ahmetaj është fajtor apo i pafajshëm, por ndryshe nga një rast i disa viteve më parë, kur ishim të bindur se kërkesa e prokurorisë duhej kufizuar dhe ashtu bëmë, rasti i sotëm ishte një rast kur kërkesa e prokurorisë duhej miratuar pa asnjë ndryshim. Sepse ndryshe nga atëherë, kur Prokuroria erdhi në Kuvend si lexuese gazetash të mëngjesit, pa bërë asnjë hetim, këtë herë na u vu përpara dosja e një pune voluminoze hetimore. Në mos e provoftë fajësinë e deputetit, çka mund dhe do ta thotë vetëm gjykata, ajo dosje krijon përshtypjen se ka dyshime të mjaftueshme, për të mos e ndaluar autorizimin e kërkuar nga SPAK-u për Kuvendin. Këtu mbyllet çdo koment i imi mbi rastin konkret.
Tanimë është në dorën e drejtësisë të na e tregojë deri në fund në është një rast fajësie apo pafajësie, por nuk mbyllet këtu ky mesazh, sepse më duket e udhës t’i rivendos edhe disa pika mbi “i”, për këtë rrugë që vazhdon me bekimin e shumicës së shqiptarëve. Kjo që kam zgjedhur, që ne, shumica politike e këtij vendi kemi zgjedhur, është një rrugë e përbashkët, ku të përbashkëta janë arsyet e mirëkuptuara, qëllimet e shpalluara, përpjekjet e bashkërenduara, po të përveçme, personale, janë përjetimet e fuqisë që i është dhënë një individi, çdo individi përkohësisht për të marrë vendime, të ndryshme janë virtytet e dobësitë njerëzore të secilit, raportet me veten, karrigen, paranë.“-shprehet Rama.
Diskutime rreth kësaj post