Shtetet e Bashkuara mbështesin përpjekjet e Turqisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Por, Uashingtoni nuk beson që Ankaraja duhet ta lidhë anëtarësimin e saj në bllokun evropian me pranimin e Suedisë në NATO.
“SHBA-ja për vite me radhë ka mbështetur aspiratat e Turqisë për në BE dhe vazhdon t’i mbështesë ato”, tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matt Miller, shkruan REL.
“Megjithatë, ne nuk besojmë se kjo duhet të jetë pengesë për pranimin e Suedisë në NATO”, shtoi Miller.
Më herët gjatë 10 korrikut, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se BE-ja duhet të hapë rrugën për anëtarësimin e shtetit të tij, para se Parlamenti turk të miratojë aplikimin e Suedisë për t’iu bashkuar NATO-s.
Duke folur përpara nisjes së tij për samitin e NATO-s në Vilnius të Lituanisë, Erdogan tha se pranimi i Suedisë varet nga zbatimi i një marrëveshjeje të arritur verën e kaluar gjatë samitit të aleancës në Madrid, duke shtuar se askush nuk duhet të presë që Ankaraja të bëjë kompromise.
Qëndrimi i Turqisë për Suedinë mbetet i njëjtë, duke u shprehur se Stokholmi nuk e ka trajtuar sigurinë e Ankarasë me seriozitet.
Diskutime rreth kësaj post