Ka mbërritur në Kuvend kërkesa e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për arrestimin e ish-zv.kryeministrit, Arben Ahmetajt.
Deputeti akuzohet për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe deklarim i rremë dhe fshehje pasurie.
Me kërkesën e SPAK, pritet që Ahmetajt t’i hiqet imuniteti i deputetit për t’i hapur rrugë arrestimit të tij.
Tashmë është në dorën e PS nëse do të dorëzojë Ahmetajn në qeli apo jo.
Brenda pesë ditëve, palët, Ahmetaj dhe SPAK do të paraqiten në komision, këshillin e mandateve për të dhënë provat dhe nëse deputetët do të binden do ta dorëzojnë.
AlbEu ka siguruar kërkesën e SPAK drejtuar Kuvendit për arrestimin e deputetit.
Gjithashtu në kërkesën drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla është kërkuar kontrolli i banesës së deputetit të PS-së.
“Kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë dhe ushtrimin e kontrollit personal/të banesës së deputetit. Duke qenë se hetimet në kuadrin e procedimit penal nr277/1 të vitit 2022 vazhdojnë në drejtim edhe të fakteve të tjera penale apo personave të tjerë të implikuar në ndodhjen e tyre, me qëllim respektimin e kuadrit ligjor procedurial penal mbi ruajtjen e sekretit hetimor, bazuar në nenin 73 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, kërkojmë që çdo procedurë që do të zhvillohet, në lidhje me këtë kërkesë, nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, të zhvillohet në seancë me dyer të mbyllura”, shkruhet në dokument.
Diskutime rreth kësaj post