Kryeministri i vendit Rama, në një intervistë për Klan Kosova ka folur sa i takon vizitës së tij në Prishtinë sot, ku takoi krerë të lartë të shtetit, por jo homologun e tij Albin Kurti.
Për këtë të fundit, Rama tha se në aspektin personal kanë një marrëdhënie shumë të rregullt, por politikisht në këtë moment e sheh Kurtin të vetëizoluar. Ky vetëizolim, theksoi kreu i qeverisë shqiptare dëmton rëndë raportin e Kosovës me bashkësinë euro-atlantike.
“Me personin Albin Kurti jo vetëm që skam asnjë problem, por e konsideroj njeri atraktiv dhe që me të bëj biseda pafund, ai është shumë marksist për mua, mund të mos biem dakord për shumë gjëra, por biseda mes nesh është shumë e këndshme. Qëndrimi im si Kryeministër nuk ka të bëjë me personin, aq pozitive e kam marrëdhënien time me të si person, sa kur ka nisur fushatën kemi ngrënë drekë në Kryeministri. Me kryeministrin e Kosovës sot kam një divergjencë të madhe për shkak të këtij vetëizolimi të çuditshëm, që po ua imponon aleatëve, ata po detyrohen të bëjnë gjëra që as nuk i kanë menduar ndonjëherë, janë lënduese në aspektin e drejtëpëdrejtë, por një gjë po nënvlerësohet shumë nga ata që po e ndjekin këtë gjë, se ka dhe nga ata që e shohin sikur ka dalë një David i vogël në Prishtinë kundër të gjithëve.”
Rama shtoi se bashkësia ndërkombëtare nuk po humbet besimin vetëm te Kurti, por edhe te shteti e qeveria e Kosovës, gjë që sipas tij është shumë e vështirë për t’u rikuperuar.
“Humbja e besimit, momenti ata të cilët janë kontribuesit kryesorë thonë që me këta njerëz s’mund të punohet. S’ka të bëjë me një kryeministër, kur humbet besimin ndaj një vendi, do shumë kohë për ta rikuperuar. Janë shprehje të një frustrimi të madh, se ça po i kërkojnë Kosovës?! Nuk po i kërkojnë të mos respektojë ligjin, por në rast se njerëzit dalin e protestojnë kundër një qeverie dhe i thonë ik, në politikë ka dorëheqje për t’i hapur rrugë diçkaje që ka të bëjë me legjitimitetin, unë kam qenë 100% me qëndrimin e autoriteteve këtu kur gjithë bashkësia ndërkombëtare thoshte mos fut kandidat për zgjedhjet në veri sepse isha i bindur se ishte gjëja e duhur.
Kur të krijohet situata që ata mund të rifuten në zgjedhje, tërhiqesh ti. Këtë lloj ulje dramatike të reputacionit, të besimit në sytë e gjithë bashkësisë euro-atlantike Kosova po ia bën vetes në mënyrë marramendëse përmes vetë-izolimit, nuk po ia bën Serbia. Është krijuar ideja se këtu po mbrohet Kosova, kush do ja marrë veriun?! Kur këta që kanë sjellë ushtarët këtu thonë a ka mundësi mos të merreni me këtë punë, patjetër që ata që goditën ushtarët do dënohen, por jo në këtë moment. Duhet deeskalimi!”– tha ai.
Diskutime rreth kësaj post