Në Qeverinë e Kosovës kanë filluar të nënshkruhen marrëveshjet me Shqipërinë, që ishin caktuar të nënshkruheshin më 14 qershor, në mbledhjen e dy qeverive, e cila më pas ishte anuluar.
Ministria e Drejtësisë përmes një njoftimi në Facebook ka njoftuar se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe homologu nga Shqipëria Ulsi Manja kanë nënshkruar “Marrëveshje për njohjen e së drejtës së ushtrimit të profesioneve të avokatit dhe ndërmjetësit në zgjedhjen e mosmarrëveshjeve”.
Ministria ka treguar edhe detajet se çfarë parashohin këto marrëveshje.
Gjatë së enjtes kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njoftoi se i ka nënshkruar të gjitha marrëveshjet që sipas tij ishin “meraku i Kurtit”.
Rama, më herët gjatë ditës njoftoi se Kosovës i janë dërguar 13 marrëveshjet të nënshkruara dhe pas kësaj, ai pret që homologu i tij nga Kosova, Albin Kurti, të konfirmojë takimin e paraparë të mbahet më vonë gjatë ditës.
Rama iu referua 13 marrëveshjeve që do të duhej të nënshkruheshin gjatë mbledhjes së dy qeverive në Gjakovë më 14 qershor, por që u anulua nga Rama për shkak të tensioneve në veri të Kosovës.
Më 5 korrik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i propozoi Ramës një mbledhje të përbashkët të të dy qeverive, dhe me atë rast të nënshkruhen marrëveshjet “që janë të dakorduara që janë në sirtarë dhe në këtë mënyrë t’i zbatojmë një orë e më parë të gjitha ato”- tha ai.
Diskutime rreth kësaj post