Seanca e sotme e Kuvendit të Shqipërisë ka nisur me debate për shkak të futjes me procedurë të përshpejtuar nga qeveria të projektligjit për vendosjen e kushtit për studentët e mjekësisë që të punojnë 5 vite me detyrim në atdhe përpara se të largohen. Deputetja e PD-së, Flutura Açka kërkoi që shumica të bëjë një hap pas, pasi në të kundërt do të ketë pasoja.
“Na gjeti të papërgatitur, por kështu i bëni punët ju. Këtë e kemi dëgjuar nga zonja ministre. Duhen marrë masa që djemtë të mos na ikin, por përpara se të kalojmë në masa ekstreme, duhet ta bëjmë Shqipërinë të dëshirueshme. Kjo është masë ekstreme. Nxitimi është i papërshtatshëm. Kjo është një masë drastike.
Nuk është konsultuar projektligji me studentët. As konsultim i gjerë publik nuk është bërë. Nuk e shoh të arsyeshme që të bëhet me kaq nxitim. Po shkelen të drejtat e njeriut. Studentët do të protestojnë. Edhe unë jam për të marrë masa që fëmijët të mos na ikin, por jo në këtë formë absurde” tha ajo.
Por Taulant Balla, kryetari i grupit të PS-së, ishte kundër deputetes demokrate. “Sot nuk miratohet projektligji, por futet në procedurë. Më pas gjatë diskutimit në dy komisionet, do të planifikohet të dëgjohen të gjithë.
Ne këtu jemi deputetët e kuvendit të Shqipërisë dhe jemi betuar se interesi publik kombëtar është gjëja më e rëndësishme për ne. Nëse do të përfshinim këtu edhe betimin e Hipokratit, të dyja bëhen bashkë dhe tejkalojnë interesat e vogla. Janë 1200 mjekë shqiptarë që kanë përfunduar studimet në Shqipëri dhe sot janë larguar. Ky është investimi ynë publik” tha ai.
Diskutime rreth kësaj post