Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns ka ripërseritur se armët nga Serbia po kontrabandohen në Kosovë. Sipas saj këta persona duhet të hetohen nga kush po financohen dhe kush po i organizon.
Kearns ka thënë se në takimin me kryeministrin Kurti ka folur për hapat e mëtutjeshëm për de-eskalim të situatës në veri të Kosovës, ajo ka theksuar se Beogradi nuk është e interesuar për shtensionim të situatës, ndërkaq ka shtuar se nuk e pranon siç ka thënë “ Bosnjëzimin e Kosovës” dhe se është kundër themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ajo ka konfirmuar deklaratën e saj se armë nga Serbia po hyjnë në veriun e Kosovës.
“Burimet ushtarake kanë qenë shumë të qartë me mua se ka armë që po vijnë përtej kufirit. Deklarata e KFOR-it nuk thotë që nuk ka armë matanë kufirit, duke kaluar nga kufiri, nga Serbia dhe Kosova veriore, sepse ata e dinë që ka. Ata kanë folur specifikisht për incidentin e vitit 2022 kur KFOR-it i ishte thënë se armët që kishin ardhur në ambulanca dhe ishin vendosur në kisha. Tash, unë ju besoj shumë njerëzve që kam folur me ta, që kanë qenë në vend të ngjarjes dhe i kanë parë ata vet dhe ne të gjithë e dimë, siç e kemi parë dhunën e tmerrshme ndaj ushtarëve të KFOR-it së fundmi dhe se ka municione duke u sjell në veri të Kosovës”, ka thënë Kearns për RTV21.
Deputetja britanike e sheh pozitive që Qeveria e Kosovës ka filluar hetimet në bazë të deklaratës së saj.
“Unë mendoj që është shumë pozitive që kanë filluar hetimet sepse mendoj që këtë gjë duhet ta shohim nga afër se kush janë këto grupe të armatosura që po operojnë në veriun e Kosovës. Kush po i armatos ata. Kush po i financon ata dhe kush po i organizon dhe mobilizon ata. Ky është thelbi dhe kërkesa kryesore për BE-në dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjithashtu edhe qeverinë e Britanisë së Madhe që e dinë se këto grupe të armatosura ekzistojnë. Tani është koha për t’i hetuar ata. Dhe serbët nga Kosova dhe Shqiptarët nga Kosova të ndjehen më pak të sigurt”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se është e rëndësishme mbrojtja e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.
“Unë jam shumë e shqetësuar kur i shoh njerëzit që nuk po angazhohen me gjithë zemër ndaj përpjekjeve ndërkombëtare për të de-përshkallëzuar situatën gjatë muajve të fundit. Ka pasur shumë ndërhyrje të jashtme në veri të Kosovës që vijnë nga Beogradi. Dhe ajo çka duhet të bëjmë është të de-përshkallzojmë situatën. Ajo çka dua të shoh nga qeveria e Kosovës është përkushtimi për të përkrahur serbët e Kosovës. Dhe siç e dimë, për shembull, ata kanë ndihmuar në rindërtimin e kishave të serbëve të Kosovës. Por, dua të shoh më shumë përpjekje, duke parë se çka mund të bëhet për të përkrahur këtë komunitet. Dhe dua që Beogradi të ndalojë antagonizmin në raport me veriun e Kosovës dhe të fokusohen në kufijtë e tyre në vend që të mos shkaktojnë probleme brenda Kosovës”, tha deputetja britanike.
Ajo ka folur edhe për takimin që kishte me kryeministrin Kurti në Britaninë e Madhe.
“Ishte diskutim shumë pozitiv, por edhe shumë i sinqertë ku kemi biseduar se çka duhet të ndodhë që të përkrahim Kosovën që të zvogëlojë kërcënimin. Unë jam shumë e shqetësuar për rrezikun e dhunës brenda në Kosovë. Jam e tmerruar nga dhuna ndaj ushtarëve të KFOR-it. Ajo çka ne duhet të shohim dhe çka unë kam parë nga Kryeministri Kurti duket se është pragmatist. Dikush flet se çfarë hapa duhet të ndërmirren që të de-eskalohet situata, por unë jam shumë e qartë që ju nuk mund të sulmoni një partner demokratik, siç është Kosova. SHBA dhe BE në këtë moment po duket se po e kritikojnë dhe sulmojnë Kosovën pa ndonjë mjet të qartë ndaj Beogradit. Dhe unë mendoj që rrëmbimi dhe mbajtja ilegale e tre oficerëve policorë të Kosovës është shembulli më i mirë se ku Perëndimi po i bën gabim gjërat në Kosovë”, tha ajo.
Kearns ka komentuar edhe qëndrimin e BE-së dhe ShBA-ve lidhur me situatën në veri.
“Gjithçka që unë dua të shoh është balans. Dua të shoh trajtim të qartë, proporcional dhe të balancuar midis Beogradit dhe Prishtinës, kjo është puna e partnerëve evropianë, Amerikës dhe Britanisë, por nuk e shohim atë ekuilibër. Kjo është aty ku më keni parë të jem e zëshme dhe duke folur më zë të lartë si mik i Kosovës dhe mik i Serbisë. Unë nuk dua të shoh përsëri një konflikt në Ballkan. Ne nuk duam të shohim një komunitet tashmë shumë të traumatizuar duke parë dhunë në rrugët e tyre. Ajo çka ne duam të shohim është fokus i balancuar në de-eskalim të situatës dhe në diskutimin tim me Kryeministrin Albin Kurti ai ka qenë shumë i hapur se si ai planifikon të marrë të gjitha përgjegjësitë e tij që i është kërkuar të bëjë nga BE-ja. Kjo nuk është e njëjta qasje që shoh nga Beogradi. Siç e dimë tani, ka një sërë sanksionesh që janë marrë nga BE-ja kundër Kosovës”.
Kearns ka komentuar edhe Marrëveshjen e fundit të Brukselit dhe Ohrit që përfshinë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin ajo e ka kundërshtuar.
“Kur flisni me ata që hartuan Marrëveshjet e Dejtonit, një nga keqardhjet e tyre më të mëdha ishte krijimi i Republika Srpska dhe gjithashtu emrin Republika Srpska. Unë nuk dua të shoh politikë të drejtuar nga etnia. Ne duhet të jemi në gjendje të jetojmë në komunitete multietnike, bashkësi shumëfetare dhe të respektoni njëri-tjetrin pa pasur nevojë të ketë udhëheqje të veçantë nga strukturat në vend. Megjithatë, kur flas me kryeministrin Kurti, ai flet për mënyrën se si Asociacioni mund të çohet përpara. Ai foli për shumë opsione të ndryshme me mua dhe është shumë e qartë që ai është i gatshëm të kontribuojë në angazhimet që janë kërkuar prej tij. Unë do të qëndroj gjithmonë kundër ndarjeve etnike”, tha ajo për RTV21.
Diskutime rreth kësaj post