Në fund të vitit, në dhjetor, “Portokallia” feston 20-vjetorin, por nuk ka shpëtuar nga lajmet se edhe ky program humori nuk do të rinisë sezonin e ri, ka mbërritur në fund të rrugëtimit.
Në të vërtetë, asgjë nuk është konfirmuar, përkundrazi. Salsano Rrapi, moderator dhe aktor i “Portokallisë”, e dëgjoi për herë të parë këtë lajm. I ftuar në “Pushime on Top” Salsano nuk i shpëtoi pyetjes për “Portokallinë”. Ai shprehu habi kur dëgjoi lajmin se “Portokallia” mund të mbyllet, por tha me bindje se një lajm i tillë as që është diskutuar ndonjëherë.
“E para e punës, unë këtë gjë nuk e di. Unë, me sa di, ka shumë vite që portalet çfarë nuk flasin; u mbyll programi, iku ky, do vijë ky… por as që është vënë në diskutim fare (që “Portokallia” do të mbyllet). Sigurisht, televizioni ka politikat e veta, por “Portokallia” nuk ka qenë ndonjëherë në planet e televizionit për t’u mbyllur”.
Salsano shtoi më tej se programi, si çdo sezon të ri, mund të ketë ndryshime, por jo në përbërje: “Një program mund të marrë forma të tjera, nuk i ndryshon përbërja, por ndryshojnë skena, moderatorët, vijnë aktorë të rinj etj.”
Pyetjes nëse programi i humorit ka në plan të zgjerojë kastin sezonin e ri, meqenëse “ka të papunë vërdallë”, Salsano iu përgjigj: “Aktorët, gjithmonë kanë vend për të punuar. Nëse është mbyllur një program, do hapet një tjetër, do bëhet një format tjetër, siç ka ndodhur zakonisht, por “Portokallia” nuk ka lidhje fare me të tjerët”.
Diskutime rreth kësaj post