I bindur se ardhmja e bashkëpunimit rajonal tanimë duhet të fokusohet tek Procesi i Berlinit, Edi Rama që javën e shkuar deklaroi fundin e Ballkanit të Hapur, do të nisë një tur 2-ditor në 5 kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri shqiptar ka planifikuar që në datën 6 dhe 7 Korrik të takohet me 4 homologët e Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Bosnjes e Malit të Zi si dhe Presidentin e Serbisë.
Turin do ta nisë nga Shkupi dhe pas takimit me Dimitar Kovaçevskin do të udhëtojë drejt Prishtinës ku do të takohet me Albin Kurtin. I pari takim pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive dhe rritjes së tensioneve në veriun e vendit, situatë që mesa duket po bëhet shkas për zhvillimin e këtij turi ballkanik të Kryeministrit shqiptar.
Rama dhe Kurti do të takohen rreth orës 16:00 dhe më pas pritet të ketë dhe një komunikim me mediat. Kryeministri dhe stafi i tij kanë vendosur të qëndrojnë natën e 6 Korrikut në Prishtinë dhe më pas mëngjesin e të premtes së 7 Korrrikut do të udhëtojnë drejt Sarajevës ku do të ketë takim me Borjana Kriston kryesuesen e Këshillit të Ministrave, më pas do të fluturojë drejt Podgoricës ku do të takojë Kryeministrin në detyrë Dritan Abazoviç.
I fundit do të jetë Beogradi, ku Kryeministri do të pritet në një takim nga Aleksandër Vuçiç. Ky do të jetë takimi i parë pas komunikimeve që Rama ka patur me të dhe autoritetet serbe për lirimin e tre efektivëve të Policisë së Kosovës të arrestuar nga strukturat policore serbe.
Diskutime rreth kësaj post