Përmbytjet masive të 24 qershorit kanë “gjunjëzuar” qytetin e Pejës në Kosovë. Qindra-mijëra banesa dhe biznese janë mbuluar me ujë si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm, po ashtu janë dëmtuar dhjetra vetura, duke shkaktuar pasoja të rënda ekonomike për qytetarët pejanë.
Si pasojë e përmbytjeve kanë humbur jetën tragjikisht një fëmijë 5 vjeçar dhe nëna e tij.
Për t’iu gjendur pranë qytetarëve të Pejës në këto ditë të vështira, klubet rotariane në Kosovë dhe Shqipëri janë aktivizuar duke bërë donacione vullnetare në vlera të konsiderueshme monetare.
Themelimi i Distriktit Rotarian Shqipëri-Kosovë (2485), ka bërë që mobilizimi i klubeve të jetë edhe më i lartë dhe rotarianët nga Shqipëria t’u gjenden më pranë shqiptarëve të Pejës në këtë periudhë të zymtë.
Deri më tani është arritur një kontribut i rëndësishëm monetar, ndërkohë që vijojnë donacionet nga anëtarët.
Ditën e premte, Guvernatori i parë i sapozgjedhur i Distriktit Shqipëri-Kosovë, Butrint Batalli, vizitoi Pejën, se bashku me rotarianët Granit Thaqin, Kryetarin e rradhës të KKRK-së, Skënder Boshtrakaj, njëkohësisht President aktual i Rotarisë Prishtina Newborn dhe Agon Dula, Past President i RC Gjakova-Cabrati, të cilët panë nga afër dëmet e shkaktuara nga vërshimi i ujit, ku të prekur kanë qenë edhe rotarianë.
Batalli u shpreh se ka kërkuar nga Rotari Club Peja të bëjë një vlerësim të nevojave të komunitetit të vërshuar, të cilit do t’i vihet në ndihmë me mjetet e mbledhura nga klubet dhe rotarianët vullnetmirë.
“Presim një listë me së paku 10 familje me kushte të vështira dhe sipas kerkësës së Rotari Club Peja të cilën e pranojmë, ndihma do t’iu bëhet permës transferit të mjeteve monetare tek familjet në nevojë. Urojmë që fatkeqësi të tilla të mos na përsëriten dhe falenderojmë të gjithë kontribuesit. Të gjithë ato klube që kanë dëshirë dhe mundësi të kontribuojnë për Pejën tonë, janë të ftuara të vazhdojnë edhe gjatë fillim javës që vjen”, është shprehur Batalli.
“Shërbimi ndaj komunitetit është qëllimi kryesor i Rotary International dhe të dyja vendet numërojnë mbi 1100 anëtarë të dedikuar për të dhënë më të mirën në këtë drejtim”, thuhet në fund.
Diskutime rreth kësaj post