Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas paralajmërimeve për sanksione ndaj Kosova lidhur me situatën në veri të vendit.
Ai ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani duke thënë se me politikën e jashtme të udhëhequr nga dy liderët Kosova po kthehet në problem të sigurisë evropiane dhe perëndimore.
”Izolimi dhe sanksionet janë shkatërruese për Kosovën. Edhe me mbështetjen e plotë nga ShBA dhe vendet kryesore të BE-se, Kosova ka vështirësi në integrimin euro-atlantik për shkak të kundërshtimeve të vendeve të caktuara. Pa këtë mbështetje, është i pamundur çfarëdo progresi. Ndërkaq, me sanksione dhe izolim që pason, as status quo-në ekzistuese nuk mund ta ruajmë”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ai tutje ka thënë se me të gjitha sfidat që ka pasur, Kosova nga viti 2008 ka qenë një vend që ka promovuar normalitet e paqe, një shtet i ri demokratik që ka kërkuar mbështetjen e partnerëve për integrim euro-atkantik.
“Ndërkaq, tani është e qartë për të gjithë se me politikën e jashtme jo-perëndimore të binomit fatkeq të Kosovës, Kurti-Osmani, Kosova po kthehet në problem të sigurisë evropiane dhe perëndimore”.
Sipas tij, Kosova nuk mund të qeveriset nga një kryeministër dhe presidente që i sjellin Kosovës sanksione nga aleatët në vend të integrimit euro-atlantik.
Diskutime rreth kësaj post