Kurban Bajrami është festuar ditën e sotme në të gjitha qendrat sociale të Tiranës. Në Qendrën “Të Qëndrojmë së Bashku në Kombinat”, dreka e Bajramit ka mbledhur besimtarë të shumtë, me të cilët ka festuar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Ne duam që, ashtu si për Vit të Ri, si për Pashkë, edhe për Bajram të mos lëmë asnjë njeri pas. Ne sigurohemi që në çdo cep të Tiranës të ketë festë. Edhe ata që nuk i kanë mundësitë te familja e tyre e ngushtë, të paktën këtu te familja e madhe do ketë gjithmonë një vakt për të gjitha ditët e shënuara,” u shpreh Veliaj.
Ai u shpreh se i njëjti përkujdes dhe vëmendje ndaj shtresave në nevojë është treguar kudo në qendrat sociale që ka hapur Bashkia e Tiranës.
“Më vjen mirë që, një nga gjërat që rikuperuam shumë shpejt pas tërmetit, ishin jo vetëm disa nga banesat, e disa nga infrastrukturat shkollore e arsimore, por edhe qendrat sociale. Me atë fatkeqësi na u krijua edhe një mundësi që të kishim mjedise nga më të mirat që ka sot në Ballkan, sepse unë besoj që, pavarësisht vështirësive, njerëzit duhet të trajtohen me dinjitet. Ne ndoshta nuk i zgjidhim dot të gjitha hallet që mund të ketë një njeri, por sikur të kemi zgjidhur një hall, kemi një vështirësi më pak. Unë besoj se një qytet i mirë, një qytet i madh ka vend për të gjithë dhe ka një mundësi dhe një shans për të gjithë”, vijoi më tej ai.
Veliaj falenderoi edhe punonjësit e përkushtuar që iu shërbejnë përditë personave në nevojë.
“Mirënjohje të veçantë për të gjithë skuadrën e mrekullueshme që kemi këtu. Janë të gjithë profesionistë, të gjithë me buzëqeshje, pavarësisht vështirësive. Bëjnë punën e kujdestarëve më të rëndësishëm për gjënë më të çmuar që ka qyteti ynë që janë njerëzit. Ndaj dhe vërtet e vlerësoj shumë,” tha ai.
Kryebashkiaku nënvizoi edhe faktin që me stinën e verës në Tiranë ofrohen edhe mundësi të tjera, sidomos për fëmijët në nevojë që nuk mund të shkojnë me pushime.
“Jo të gjithë i kanë mundësitë për të shkuar në plazh. Ne kemi hapur për të gjithë fëmijët, edhe për ata të Shkozës, edhe për të gjitha qendrat sociale, pishinat publike të nashkisë. Të çojmë atje fëmijët e vegjël që të sigurohemi që asnjë nuk rritet me një fëmijëri ndryshe nga të tjerët. Mund të mos t’i ketë familja mundësitë, por i ka Bashkia. Ndaj, do të vazhdojmë të gjithë verën me kampe për fëmijët, me pishina dhe me ekskursione të tjera, sepse duam që një qytet si Tirana, që është i madh, po ecën shpejt, po ngre kulla të larta, është mbushur me turistë, por nuk lë mbrapa asnjë nga njerëzit e vet,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.
Diskutime rreth kësaj post